English

Grabitja e Tirana Bank, autorët e pamaskuar morën vetëm 3 mijë euro

Tiranë, 6 Maj 2010 NOA – Vetëm 350 mijë lekë ose afro tre mijë euro, ishte shuma që u grabit paraditen e sotme në bankën private Tirana Bank e cila ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës, - konfirmuan për agjencinë e lajmeve NOA burime zyrtare policore.

Ngjarja ndodhi sot rreth orës 10.30 në rrugën dytësore të autostradës Tiranë – Durrës ku dhe është vjedhur filiali i bankës së nivelit të dytë në Tiranë.

Policia duke folur për hetimet tha se menjëherë në vendin e ngjarjes shkoi grupi i posaçëm hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, filloi veprimet hetimore dhe procedurale të cilat po vazhdojnë të zhvillohen intensivisht për dokumentimin e veprës penale, identifikimin dhe kapjen e autorëve të saj.

Nga hetimet paraprake të grupit hetimor rezulton se, autorët e kësaj vjedhjeje te Tirana Bank kanë qenë dy persona, ku njëri prej tyre i armatosur, të cilët në sajë të ndërhyrjes së punonjësve të shërbimit të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike kanë mundur të marrin në këtë bankë vetëm një sasi vogël parash, prej rreth 350 mijë lekësh ose tre mijë eurosh.

Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, duke marrë shkas nga kjo vjedhje, deklaroi sot se ka marrë menjëherë një sërë masash organizative në bashkëpunim me Shoqëritë e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike si dhe me Punonjësit e Sigurimit të Brendshëm të Bankave të Nivelit të dytë, me qëllim garantimin e zhvillimit normal të aktivitetit bankar të tyre si dhe bizneseve në përgjithësi.

e.r/NOA

KOMENTE