Greqi - Policia Shpërndan Manifestuesit Përpara Parlamentit
ATHINË, 6 maj /ATSH-AFP/ - Policë grekë të forcave të ndërhyrjes së shpejtë u ngarkuan sot të shpërndajnë qindra të rinj të cilët po i sulmonin përpara parlamentit në Athinë, në përfundim të një manifestimi, konstatoi një gazetar i AFP-së.
Pas një përballjeje të gjatë me grupe të rinjsh të cilët i ofendonin dhe po i godisnin, policia lëshoi gaz lotsjellës, pastaj u hodh mbi ta.
Pjesa më e madhe e protestuesve u largua nga parlamenti duke tundur parrullat, ndërsa disa grupe të tjera të vogla përmbysnin koshat e plehërave ose i digjnin ato.
Kjo rritje e tensionit ndodhi në përfundim të dy manifestimeve që u zhvilluan në qetësi me pjesëmarrjen e më tepër se 10 000 personave në qendër të Athinës kundër miratimit nga parlamenti të planit të masave të rrepta ekonomike në këmbim të planit të shpëtimit të saj financiar nga BE-ja dhe FMN-ja.
Këto manifestime me thirrjen e sindikatave kryesore të vendit janë zhvilluar pavarësisht vdekjes një ditë më parë gjatë marshimeve sindikale në Athinë, të tre punonjësve të një banke të asfiksuar nga bomba molotov të hedhura në agjencinë e tyre bankare.
/I.Pu.