English

Intervistë (1)/Tika-Projekte Për Përmirësimin E Jetës Në Vend

MIN E JETËS NË VEND TIRANË, 6 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Qeveria turke, nëpërmjet Agjencisë Turke për Zhvillim (TIKA), që prej vitit 1996, asiston Shqipërinë nëpërmjet projekteve në sektorë të ndryshëm, duke synuar kështu përmirësimin e jetës në vend. E themeluar në vitin 1992, TIKA është institucion i varur nga Qeveria e Turqisë dhe realizon projekte nga më të ndryshmet në shtete që janë në zhvillim e sipër. Veprimtaria e saj aktualisht vazhdon në 21 shtete të ndryshme të botës, nëpërmjet 23 zyrave të saj, duke filluar nga Mongolia, Senegali, Ukraina, shtete të ndryshme të Ballkanit, etj, me dhënien e asistencës tekenike, me projekte të ndryshme. Zyra e parë e TIKA-s në Ballkan ishte ajo e Shqipërisë, e hapur në 1996, vit prej të cilit janë realizuar projekte dhe veprimtari të ndryshme në sektorët e arsimit, infrastrukturës, etj. Që prej dy vitesh, kjo Zyrë drejtohet nga Dr. Ali Özgün Özturk, i cili ka përfunduar Doktoraturën në Degën e Shkencave të Gjuhës Turke në Institutin e Shkencave Sociale në Universitetin Gazi, Ankara. Në vitin 2006, ai ka punuar në Zyrën e Koordinimit të Programit TIKA në Azerbajxhan, ndërkohë që aktualisht kryen detyrën e Koordinatorit të Programit TIKA në Tiranë. Krahas Shqipërisë, TIKA operon edhe në vende të tjera të Ballkanit; në Kosovë, Maqedoni dhe Bosnjë-Hercegovinë. "Gjatë periudhës kur Kosova po merrte pavarësinë, Republika e Turqisë ka dhënë mjaft kontribute nga më të ndryshme atje. Në Kosovë ka tashmë një Zyrë Koordinimi të TIKA-s dhe Turqia ka marrë sipërmarrje nga më të ndryshme për ta ndihmuar këtë vend", tha në një intervistë për ATSH-në Dr. Özturk. "Turqia është gjithmonë gati të japë kontributin e saj për paqen dhe stabilitetin në rajon", garanton ai. - Projekte të përfunduara - "Me asistencën e TIKA-s, në vitin 2009 u realizua projekti i rinovimit të ujësjellësit në Kryevidh të Kavajës. Këtu u ngrit një linjë rreth 5 km, që ka zgjidhur problemin e ujit të pijshëm për 6 fshatra të Kavajës", tha Dr. Özturk. Ndërkohë, sipas tij, gjatë vitit të kaluar e në vazhdim po kryhen trajnime të Policisë në Shqipëri Një tjetër projekt, i mundësuar nga TIKA, është pajisja me aparatura të reja të një studioje radiojeje në Radiotelevizionin Shqiptar. Një ndër projektet e tjera është dhe realizimi i përkthimit nga gjuha angleze në shqip dhe botimit të 2 mijë kopjeve (në 2 vëllime) të librit "Historia dhe Zhvillimi i Perandorisë Osmane", i realizuar në 2009. Po kështu, TIKA ka ndërmarrë mjaft projekte në sektorin e arsimit, me ndërhyrje në infrastrukurë dhe pajisje të kopshteve dhe shkollave. Dr. Özturk përmend restaurimin dhe kompletimin me pajisje të kopshtit "Çlirimi 2" në qytetin e Beratit, projekt i realizuar në vitin 2009. Po kështu, një projekt tjetër në Roshnik të Beratit ka qenë rikonstruksioni i shkollës që mban emrin e një prej Kryeministrave të Perandorisë Osmane, Mehmet Qypryli Roshniku. "Ne do të vazhdojmë këtë vit projektin e rikonstruksionit të shkollave. Në verë të këtij viti mendojmë të fillojmë rikonstruksionin e shkollës së bashkuar 'Gjergj Kastrioti' të Komunës së Bazit në Mat", sqaron Özturk. Dr. Özturk përmend si një ndër projektet më të rëndësishme në 2010, atë për inventarizimin dhe restaurimin e monumenteve në Shqipëri. Në lidhje me këtë, u firmos në muajin shkurt Protokolli përkatës midis TIKA-s, palës turke dhe ministrit shqiptar të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. "Përparësia jonë në momentin që ne përzgjedhim projektet është strategjia për zhvillim për Shqipërinë", thotë ai. /s.s./(Vijon)
KOMENTE