English

Jo rivendosjes së sferave të interesit në Evropë

"Duhet të afirmojmë sigurinë në Evropë si të pandashme, dhe rëndësinë e integritetit territorial për të gjitha vendet në Evropë", thotë në shkrimin autorial, zëvendës presidenti i SHBA-ve, Xhozef Bajden, në të përditshmen “International Herald Tribune”

Nga Xhozef Bajden*

Zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara

Këtë javë do të bisedoj me ambasadorët e NATO-s për të avancuar dialogun ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve më të afërt kushtuar sigurisë evropiane. Këtë e bëjë sepse Shtetet e Bashkuara janë të zotuara vendosmërisht që çfarëdo vendimi për sigurinë e Evropës duhet të miratohet në bashkëpunim të ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë evropianë. Bashkë kemi arritur të ndërtojmë aleancën më të suksesshme në histori që ka ruajtur paqen në rajon për më shumë se 60 vjet dhe që ka ndihmuar transformimin e Evropës në udhërrëfyes të demokracisë dhe prosperitetit. Këto arritje janë bërë të qëndrueshme nga institucionet e sigurisë, NATO dhe OSBE-ja, që janë ngritur përmes bashkëpunimit amerikano – evropian për dekada. Por, tash është vitale të bëjmë pyetjen se si duhet t’u përshtaten këto institucione mundësive dhe epokës së re. NATO është duke rivlerësuar “konceptin e vet strategjik” për të përgatitur Aleancën për sfidat e shekullit 21. Në këtë kontekst, Shtetet e Bashkuara nuk besojnë se Evropës i duhen institucione të reja, por duke marrë parasysh natyrën e kërcënimeve me të cilat ballafaqohemi, të respektojë parimet bazë të institucioneve ekzistuese, siç është NATO dhe OSBE-ja. Së pari, do të bëhen propozime për të intensifikuar transparencën ushtarake. Së dyti, do të shqyrtohet kufizimi i madhësisë dhe lokacioneve të forcave konvencionale dhe kjo do të jetë relevante për botën e sotme dhe të nesërme dhe jo të djeshme. Së treti, duhet kujdes dhe më shumë mjete për t’u përballur me kërcënimet drejtuar Evropës që vijnë nga hapësirat jashtë Evropës. Së katërti, na duhen mekanizma më efektiv në funksion të evitimit, menaxhimit dhe zgjidhjes së konflikteve për krizat - para se ato të përshkallëzohen. Dhe në fund, ne duhet të afirmojmë sigurinë në Evropë si të pandashme, dhe rëndësinë e integritetit territorial për të gjitha vendet në Evropë, bashkë me të drejtën e tyre për të zgjedhur aleancat e tyre të sigurisë. Siguria e qëndrueshme në Evropë kërkon paqë dhe stabilitet për gjithë Evropën – jo për Evropën e vjetër ose të re, Perendimore ose Lindore, për Evropën e NATO-s ose jo të NATO-s. Duhet të nënvizojmë rëndësinë e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve dhe të drejtës së tyre për të zgjedhur lirshëm aleancat, sepse nuk do të pranohet rivendosja e sferave të interesit në Evropë. Shtetet e Bashkuara gjatë shekullit të kaluar dy herë kaluan Atlantikun në mbrojtje të Evropës dhe u qëndruan pranë aleatëve gjatë Luftës së Ftohtë. Ne e kemi bërë këtë, për shkak të vlerave dhe sigurisë sonë të përbashkët dhe njohurisë se paqja dhe stabiliteti në Evropë janë thelbësore për sigurinë e Shteteve të Bashkuara. Ende kemi për të bërë shumë në kërkim të Evropës plotësisht demokratike, të sigurtë, në paqe dhe prosperitet. Mbi këto parime ne mund të garantojmë sigurinë për Evropën në epokën e re.

(*) “International Herald Tribune”, Përktheu RFE, foto: AFP

KOMENTE