English

Kinë - Arrin Në 38 Të Vdekur Bilanci I Një Tornadoje Dhe I Motit Të Keq

PEKIN, 6 maj /ATSH-AFP/ - Të paktën 38 persona kanë vdekur dhe më tepër se 190 të tjerë janë plagosur gjatë një tornadoje dhe motit të keq që përfshiu jugun e Kinës gjatë natës së djeshme, njoftojnë mediat zyrtare. Metropoli i Shongqingut me 31 milionë banorë u godit sot rreth orës 02:00 (18:00 GMT të së mërkurës) nga një tornado, e shoqëruar nga stuhi dhe ngrica, që mori me vete shtëpi dhe shkatërroi të mbjella në dy distrikte rurale të kësaj bashkie, njoftoi agjencia Hsinhua. Televizioni zyrtar kinez publikoi imazhe të shtëpive të shkatërruara, pemë të shkulura, rrëshqitje toke dhe rrugë pjesërisht të përmbytura. Në zonën e goditur nga tornadoja, ka patur 29 të vdekur, më tepër se 190 të plagosur dhe gjashtë të zhdukur dhe më tepër se 70 000 persona janë detyruar të evakuohen, bëri të ditur Ministria e Çështjeve Civile. "Nuk kemi patur asnjëherë tornado këtu, kjo është hera e parë", i deklaroi AFP-së Liu Fang, një zyrtar i distriktit Liangping, një nga vendet më të prekura. "Të paktën gjashtë persona kanë vdekur dhe 38 të tjerë janë plagosur në distriktin tonë. Energjia elektrike është ndërprerë dhe janë dëmtuar shtëpi për shkak të erës së fortë, shtoi ai. Nga dje në mbrëmje deri sot pasdite ka rënë rreth 157 milimetër shi në rajonin e prekur që prej vitit të kaluar nga një thatësirë e madhe, njoftojnë shërbimet meteorologjike. Tornadoja u ndesh në atmosferë me një valë të nxehti të ardhur nga jugu dhe me një front të ftohtë nga veriu. Kushtet meteorologjike në zonë janë edhe më të vështira sot me shira të vazhdueshë, bëri të ditur një zyrtar tjetër i distriktit Dianjiang, i kontaktuar nga AFP-ja dhe i cili preferoi të mbetej anonim. Sipas faqes së internetit të së përditshmes "Zhemin Zhibao", një mijë ndërtesa në gjashtë bashki janë shkatërruar pjesërisht. Provincat fqinje Guizhu dhe Hunan janë prekur gjithashtu nga moti i keq. Pesë persona kanë vdekur nga rrëshqitjet e tokës në Guizhu dhe katër në Hunan, njoftoi agjencia Hsinhua. Kostoja e dëmeve mund t'a kalojë shifrën 20 milionë juanë ose më tepër se dy milionë euro, mësohet nga vlerësimet e para të zyrtarëve të cilët vazhdojnë të bëjnë inventarin e dëmeve të shkaktuara. /I.Pu.
KOMENTE