Kukes: Shtate Te Plagosur Ne Nje Aksident Automobilistik
KUKES, 6 maj/ATSH-R.Hoxha/. - Një aksident i rëndë automobilistik ndodhi sot pasdite në afërsi të vendit të quajtur Uzina ne Kukes, ku si pasojë e përplasjes së dy mjeteve, mbetën të plagosur 7 persona, por jashtë rrezikut për jetën.
Burime zyrtare të policisë lokale thanë për ATSH-në se, "nga përplasja e një kamioni që udhëtonte drejt Morinit dhe një autoveture që udhëtonte drejt Kukësit, mbetën të plagosur drejtuesit e dy mjeteve dhe pasagjerët e autovetures, që po ktheheshin nga një festë nga fshati Novosej".
Te plagosurit Ajet Tocilla, Adem Noka, Arben Noka, Hydajet Parllaku, Florie Noka, Nure Parllaku dhe Dije Noka, u dërguan menjëherë në spitalin civil të qytetit të Kukësit. Bëhet e ditur se janë jashtë rrezikut për jetën, ndersa drejtuesi i autovetures, Arben Noka është ende në gjendje të rëndë.
Sipas hetimeve paraprake, shkaku i aksidentit ishte shpejtësia e madhe e të dy mjeteve dhe konsumi i tepërt i alkoolit i drejtuesit te mjetit qe kthehej nga festa. /a.ke/