Kuvend-Bumçi:Greva E Opozitës, E Turpshme
TIRANË, 6 Maj/ATSH/.- Deputetë të maxhorancës gjatë debatit të lirë parlamentar sot në Kuvend, reaguan ndaj grevës së urisë së deputetëve socialistë, duke e cilësuar atë, një akt të turpshëm që dëmton imazhin e vendit.
Në fillim të seancës, e cila po zhvillohet pa praninë e opozitës, deputeti demokrat Aldo Bumçi e cilësoi "të turpshme" grevën e PS-së, të nisur me urdhër të kryetarit Edi Rama, i cili sipas tij, "frymëzohet nga Ramiz Alia".
"Shqipëria nuk ka pasur kurrë më shumë mundësi për t'iu afruar Evropës sesa në vitet 2009-2010. Është e papranueshme sjellja e Ramës që keqinformon shoqërinë. Admirimi i Ramiz Alisë për grevën e Edi Ramës tregon se kjo është greva e turpit", deklaroi Bumçi.
Ndërsa deputetja e PD-së Mesila Doda tha se greva e urisë e opozitës "i shërben kauzës mjerane të kryetarit të tyre dhe ajo nuk është gjët tjetër veçse deluzioni i radhës i opozitës për të marrë pushtetin me dhunë".
Ajo i bëri thirrje deputetëve të opozitës që "të mos bëhen pjesë e mbrapshtisë së Edi Ramës", ndërsa theksoi se "greva dëmton imazhin e Shqipërisë"./n.m/