English

Liberalizimi I Vizave Për Shqiptarët Është I Merituar Dhe Nuk Vjen Si Dhuratë

- Shprehet Presidenti i Dhomës së Deputetëve italianë, Fini në takim me kryetaren Topalli - TIRANË, 6 Maj/ATSH/.- "Liberalizimi i vizave për shqiptarët është i merituar dhe nuk vjen si dhuratë", tha sot Presidenti i Dhomës së deputetëve të Italisë, Gianfranco Fini, në takim me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. "Pas vizitës suaj në Itali, ishte jo vetëm detyra, por kënaqësia ime të vija në Shqipëri. Është një moment intensiv bashkëpunimi mes dy vendeve dhe raportet tradicionale po bëhen gjithnjë e më të ngushta", tha z. Fini. Presidenti Fini tha se falë progresit, reformave dhe plotësimit të detyrimeve, liberalizimi i vizave për Shqipërinë pritet të bëhet brenda vjeshtës si një vendim krejtësisht i merituar. Kryetarja e Kuvendit, duke e falenderuar për mbështetjen e vazhdueshme që personalitetet e politikës italiane po i japin Shqipërisë për heqjen e vizave dhe integrimin në BE, shprehu mirënjohje për lobimin që z. Fini personalisht po bën edhe me krerë të parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së për heqjen e vizave. "Shqipëria i ka plotësuar tashmë të gjitha detyrimet teknike dhe kjo është shprehur edhe nga përfaqësues të Komisionit Europian. Kemi punuar intensivisht në parlament për të gjitha ligjet që janë detyrime për liberalizimin e vizave dhe do të kisha dashur që edhe opozita të ishte pjesë e këtyre proceseve", tha ajo. Lidhur me opozitën, Topalli tha se "si Kryetare e Kuvendit, i kam ftuar dhe vijoj t'i ftoj deputetët e opozitës të zenë vendet e tyre në parlament duke shprehur të gjithë gadishmërinë dhe vullnetin për çdo kërkesë bazuar në Kushtetutë e ligj, për transparencën e zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka pasur". Kryetarja e Kuvendit dhe Presidenti Fini biseduan gjerësisht mbi intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar, veçanërisht në këto momente vendimtare për Shqipërinë në prag të liberalizmit të vizave dhe statusit të vendit kandidat në BE. Presidenti i Dhomës së deputetëve të Italisë, Gianfranco Fini zhvilloi sot një vizitë në Tiranë në kuadër të eventeve "Dy popuj, një det, një miqësi", organizuar nga ambasada italiane. Gjatë vizitës, së bashku me kryetaren e Kuvendit, Topalli ishin të ftuar në një tryezë të rrumbullakët të drejtuar nga gazetari i njohur Italian Bruno Vespa, në bisedën me temë emigracionin dhe integrimin mes dy vendeve. Gjatë qëndrimit në Tiranë z. Fini u takua me autoritetet më të larta të vendit Presidentin e Republikës, Bamir Topi dhe kryeministrin Sali Berisha./a.s//n.m/
KOMENTE