Tiranë, 6 maj, NOA – “Dua të shpreh keqardhjen dhe trishtimin tim të thellë për vazhdimin e grevës nga kolegët deputetë të Partisë Socialiste dhe përkrahësit e tyre, për sakrificat dhe për vështirësitë dhe problemet që kanë të bëjnë me shëndetin e tyre gjatë gjithë kësaj kohe”
Kështu e ka komentuar zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë një prononcimi të sotëm për mediat situatën aktuale politike në vend, të rënduar së fundmi nga greva e urisë e socialistëve dhe mbështetësve të tyre.
Sipas tij, “ekzistojnë të gjitha mundësitë e të gjitha hapësirat që përmes dialogut, dialogut dhe vetëm dialogut, të ecet me besim drejt daljes nga kjo situatë”.
“Të gjitha pretendimet lidhur me hetimin e çështjeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet e 28 qershorit, të merren në konsideratë, natyrisht duke respektuar parimet e shtetit ligjor dhe të Kushtetutës së vendit. Dhe jam shumë i bindur se mbeten ende shumë mundësi për t’u eksploruar, për t’u kombinuar në mënyrë më të mirë të mundshme dhe më konstruktive, pikërisht për transparencën me kushtetutën dhe kushtetutshmërinë”, ka deklaruar më tej Meta.
Në funksion të zgjidhjes së krizës, ai ka pohuar se “mbështet vetëm dialogun dhe se çdo takim është veçse i dobishëm”.
“E kam theksuar edhe më parë se duhet të heqim çdo barrikadë, pasi barrikadat nuk na afrojnë por na largojnë nga njëri-tjetri dhe nga zgjidhja, e cila do të risillte normalitetin politik edhe demokratik në vend. Dhe unë jam i bindur, që kryeministri Berisha është i hapur për t’u takuar me Ramën, pasi jam i bindur që është vullneti i mazhorancës për të ecur drejt një zgjidhjeje demokratike, konstruktive dhe jo konfrontuese”, theksoi kryediplomati shqiptar.
Ndërsa përfundoi se “natyrisht, duhet që vullneti të ofrohet nga të gjithë dhe e theksoj se dialogu është i vetmi mjet që ndihmon përfundimin e kësaj greve, të kësaj sakrifice që po bëjnë kolegët deputetë dhe përkrahësit e tyre, i cili njëkohësisht çon përpara edhe pretendimet e tyre”.
n.e/NOA