Tiranë, 6 maj, NOA - Një emër i madh si ai i Faik Konicës, ka qenë motivi që ka mbledhur sot në ministrinë e Kulturës, dashamirës të tij dhe autoritete, për të promovuar botimin “Përmbledhja e numrave të Revistës Albania”, e krijuar dikur nën kujdesin e të madhit Konica.
“Ai dhe vepra shumëdimensionale që përfaqëson si prozator, poet, publicist, kritik letrar dhe përkthyes, e radhit Faik Konicën si një ndër personalitetet më të shquar të kulturës dhe letërsisë shqiptare”, ka thënë në fjalën e saj, zv/ministrja e Kulturës Suzana Turku gjatë këtij aktiviteti.
Duke u kujtuar të pranishmëve në ceremoni, se “revista Albania, e krijuar si një organ periodik politiko-kulturore dhe letrar, u bë zëri më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë kombëtare”.
“E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propagandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë”, tha Turku.
Duke shtuar se “ajo që duhet theksuar, ka të bëjë me faktin se në trashëgiminë dorëshkrimore dhe atë të botuar, në krijimtarinë e Konicës vendin kryesor e zë publicistika dhe se ai sot njihet dhe vlerësohet si një nga themeluesit dhe mjeshtrit e këtij zhanri.
“Faik Konica me kontributin e tij është prijatari që lëvroi esenë në letrat shqipe, me anët të së cilës ai parashtroi pikëpamje origjinale, duke ngritur një sërë problemesh të rëndësishme, të epokës në të cilën ai jetoi dhe punoi, duke shpalosur në këtë mënyrë idetë dhe vizionin me të cilat ishte mbrujtur ndërgjegjja e tij”, përfundoi ajo.
n.e/NOA