Strasburg, 6 maj, NOA - Këshilli i Evropës u ka bërë të qartë autoriteteve të Shkupit se kryesimi i saj gjatë periudhës gjashtëmujore do të jetë me siglën “Kryesimi i FYROM” dhe jo “Kryesimi maqedonas”, ashtu siç u propagandua dje nga mediat qeveritare në Shkup.
Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Torbjorn Jagland sot ia ka bërë me dije ministrit të Jashtëm, Milloshoski se vetëm si FYROM mund të kryesohet me KiE-në, ndërsa Shkupi zyrtar ka të drejtën që vetëm në politikën e saj të brendshme ta përdorë emërtimin “kryesimi maqedonas”.
Kreu i lartë i këtij institucioni evropian është kërcënuar se do të largojë Maqedoninë nga kryesimi, në rast se nuk përmbush kushtet e përcaktuara.
Shkupi zyrtar në faqen zyrtare të KE-së njihet vetëm si FYROM, ndërsa gjatë seancave ku do të jetë i pranishëm ministri i jashtëm Antonio Milloshoski të figurojë vetëm emri dhe mbiemri i tij, e jo FYROM apo Republika e Maqedonisë.
Kjo situatë ka ardhur pas kushtëzimeve dhe kërkesës greke që Maqedonia të njihet vetëm si FYROM.