Petersen: Be Të Mos Pranojë Serbinë Pa Një Marrëveshje Mbi Marrëdhëniet E Saj Me Kosovën
UASHINGTON, 6 maj /ATSH-MIA/ - Në një dëshmi para Komisionit amerikan të Helsinkit, ish-shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Soren Jesen-Petersen tha se zgjidhja e konflikteve ndëretnike në Ballkan do të arrihet përmes integrimit të tyre në Bashkimin Evropian dhe se ky i fundit nuk duhet të lejojë anëtarësimin e Serbisë pa një marrëveshje të qartë për marrëdhëniet e saj me Kosovën.
"Bashkimi Evropian nuk duhet të ndërmarrë hapa për pranimin e Serbisë përsa kohë që ekziston kjo çështje e pazgjidhur dypalëshe mes Serbisë dhe Kosovës, pasi kjo do të cënonte unitetin e BE-së dhe bashkëpunimin rajonal të Ballkanit Perëndimor. Siç kemi parë edhe nga gabimet e së kaluarës, ftesa e vendeve të përfshira në mosmarrëveshje dypalëshe si Qiproja, emri i Maqedonisë apo mosmarrëveshja e fundit mes Sllovenisë dhe Kroacisë. Këto janë pengesa për synimin kryesor për integrimin e këtyre vendeve në BE dhe vonon procesin e asocimit. Shpresoj që BE-ja të mos e bëjë përsëri këtë gabim'', deklaroi Petersen.
Petersen i tha radios ''Zëri i Amerikës'' se pret një strategji të qartë nga Bashkimi Evropian që do ta detyronte Serbinë të përcaktonte qëndrimin e saj ndaj Kosovës edhe pa e njohur pavarësinë e saj.
"Serbia ka të drejtën e saj të mos e njohë Kosovën, por besoj se mesazhi i Bashkimit Evropian për Serbinë duhet të jetë ky: keni të drejtë tuaj të mos e njihni Kosovën, por nuk mund të hyni në BE dhe ta mbani Kosovën peng të pozitës suaj. Serbia duhet të njohë rëndësinë që ka Kosova në bashkëpunimin rajonal, pasi ne duam që shtetet në rajon të punojnë së bashku. Shpresoj se kjo do të jetë politika e Bashkimit Evropian megjithëse nuk ka ende një të tillë", shtoi ai./
a.jor.