English

Pirateri - Marina Ushtarake Ruse Çliron Një Anije Cisternë

MOSKË, 6 maj /ATSH-ANSA/ - Për herë të parë në historinë e saj, marina ushtarake ruse ka mposhtur sot piratët somalezë. Anija luftarake ruse "Marshall Shaposhnikov" arriti të kapë piratët somalezë që kishin marrë peng një anije cisternë ruse, pas një shkëmbimi zjarri që shkaktoi edhe vdekjen e një pirati. Cisterna "Universiteti i Moskës" transportonte 86 mijë ton naftë bruto me vlerë 52 milionë dollarë, për llogari të kompanisë kineze Unipec, kur mëngjesin e djeshëm u sulmua nga piratët në ujërat e Jemenit. Menjëherë pas dhënies së alarmit anija luftarake "Marshall Shaposhnikov", me urdhër të presidentit rus Dmitri Medvedev, u nis nga porti i Adenit për të neutralizuar kriminelët. Anija e sekuestruar u njoftua për ndërhyrjen ushtarake në orën 2 të mëngjesit, ndërkohë që 23 anëtarët e ekuipazhit rus arritën të futeshin në një seksion të izoluar të cisternës ku mbaheshin furnizimet me ushqime. Një pjesë e piratëve hipi në bordin e cisternës në përpjekje për të gjetur një hyrje në brendësi të saj, ndërsa pjesa tjetër qëndroi në motoskaf. Këta të fundit u larguan menjëherë për t'i shpëtuar topave rusë, ndërsa ata që ndodheshin në cisternë hapën zjarr kundër një helikopteri rus që ishte nisur nga anija "Marshall Shaposhnikov", por menjëherë u përballën me zjarrin e ushtarëve që ndodheshin në bordin e helikopterit. Një pirat mbeti i vrarë, disa të tjerë të plagosur. Tashmë forcat ruse po shqyrtojnë mundësinë për t'i ekstraduar piratët në Rusi ku do t'i dorëzojnë para drejtësisë. Sot për marinën ruse është një ditë feste, pasi gjithmonë në raste të tilla janë paguar shpërblesat, shpesh të kripura. Tashmë cisterna "Universiteti i Moskës" do të vazhdojë lundrimin e saj drejt Kinës. Kompania të cilës ajo i përket, rusja "Novoship", i ka dërguar një telegram mirënjohjeje komandës së Marinës ushtarake ruse, "e cila arriti ta zgjidh problemin në mënyrën më të mirë të traditës së saj". /e.v/
KOMENTE