Platforma Botërore Mix Nderon Me Çmim Të Argjendë Ushkk Për Treguesit Socialë 2009
TIRANE, 6 Maj /ATSH-E.Xhajanka/- Unioni Shqiptar i Kursim Kreditit (USHKK) u vlerësua me Çmimin e Argjendtë nga Platforma Botërore e Mikrofinancës (MIX) për raportimin e treguesve socialë për vitin 2009.
Burime nga ky union, bënë të ditur sot për ATSH-në, se ky çmim vjen për herë të parë në mikrofinancën shqiptare, duke ia besuar Unionit Shqiptar të Kursim Kreditit, lider prej 18 vjetësh i shërbimeve financiare në zonat rurale.
Çmimi i Argjendtë vlerëson transparencën e treguar në raportimin e treguesve socialë të Unionit SHKK dhe është dhënë nga MIX, CGAP, Ford Foundation, dhe Michael & Susan Dell Foundation.
Akordimi i këtij çmimi shpreh vlerësimin që i është bërë komponentit te përgjegjësisë sociale të Unionit SHKK, kërkesë kjo dhe e Bankës së Shqiperise, shprehur ditët e fundit edhe nga Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, se "financa e përgjegjëshme duhet të kuptohet jo vetëm si një e drejtë, por edhe si një detyrim për të gjithë pjesëmarrësit e tregut".
Referuar dhe vlerësimeve të bëra në vitet e mëparëshme nga Platforma MIX, Unioni SHKK vazhdon të renditet ndër 100 institucionet më të mira në botë në bazë të treguesve të: profitabilitetit, shkallës së ndërhyrjes, transparencës dhe eficiencës, nga rreth 1000 institucione që u vlerësuan për vitin 2009./s.s./