Presidenti Topi Vlereson Veprimtarine E Zhan Pol Karteron Ne Krye Te Forumit Te Krans Montanes
TIRANE, 6 Prill/ATSH/. - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, shprehu sot gjatë një takimi konsideraten e tij te larte per veprimtarine e Karteron ne krye te Forumit te Krans Montanes.
Sipas Zyres se Shtypit te Presidences, kryetari i Forumit të Krans Montanës, Zhan Pol Karteron, shoqërohej nga Andrei Terebenin.
Në takim, Presidenti Topi tha se "e vlerësojmë faktin që në takimet, aktivitetet, konferencat dhe samitet e rëndësishme që organizohen nga Forumi i Kran Montanës, përfaqësues dhe personalitete të larta të shtetit shqiptar kanë qenë të pranishme, çfarë ka ndihmuar mjaft në përmirësimin dhe lartësimin e imazhit të vendit tonë në botë."
Në vijim, Presidenti shqiptar bëri një panoramë të shkurtër të disa prej zhvillimeve në vend si dhe të nismave të ndërmarra nga shteti shqiptar në zhvillimin e infrastrukturës dhe projekteve konkrete ekonomike në fushat e turizmit, energjitikës, të telekomunikacionit, etj.
Kreu i Shtetit shqiptar vuri në dukje se "jemi të hapur për bashkëpunime të frytshme me partnerë të rëndësishëm e prestigjiozë ndërkombëtarë". Ai theksoi se mbi bazën e përmirësimit të klimës së biznesit në Shqipëri si dhe krijimit të kushteve të favorshme për zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të tij, shteti shqiptar mirëpret investitorët e huaj të shtrijnë dhe zhvillojnë veprimtaritë e tyre këtu si dhe të bashkëpunojnë me biznesmenët dhe kompanitë vendase.
Karteron shprehu kënaqësinë për takimin me Presidentin Topi, duke e falenderuar për të gjithë përshkrimin e klimës së përgjithshme të zhvillimit ekonomik në Shqipëri. Ndërsa Terebenin pasi vlerësoi klimën lehtësuese dhe kushtet favorizuese, vuri në pah interesin për mundësinë e investimeve në fushën e telekomunikacioneve dhe teknologjisë së informimit. Ai shprehu admirim për rritjen rezistente të ekonomisë shqiptare në krahasim edhe me krizën financiare globale, pasojat e së cilës janë përballuar me sukses nga vendi ynë. /a.ke/