English

Prifti: Shqipëria, superfuqi rajonale e energjisë së rinovueshme

Tiranë, 6 maj, NOA – “Do ta kthejmë Shqipërinë në superfuqi rajonale të energjisë së rinovueshme”, ka deklaruar sot ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, gjatë fjalës së mbajtur në forumin Krans Montana që po zhvillohet në Tiranë.

Duke ftuar investitorët e huaj të investojnë në sektorin energjetik shqiptar, ai bëri me dijeni faktin se siguria e furnizimit me energji elektrike është prioritet absolut i qeverisë shqiptare.

Ministri i Ekonomisë përmendi faktin se vetëm në dy vitet e fundit janë dhënë koncensione të reja për prodhimin e 900 MV energji, nëpërmjet hidrocentraleve, ndërkohë që ka të paktën 2000 MV kapacitet energjetik që duhet të shfrytëzohet.

Objektivi numër 1 sipas tij mbi sektorin energjetik, është që të realizojë furnizimin me energji elektrike, duke mbështetur rritjen ekonomike me të paktën 6 për qind në vit.

“Ndërsa objektivi i dytë, - sipas ministrit Prifti, - është ai që Shqipëria të bëhet në 5 deri në 6 vjet vendi me energjinë më pak të shtrenjtë në rajon. Objektivi konsiston në atë që ne ta shesim energjinë me çmimin më të ulët”.

Ndërkohë që objektivi i tretë, sipas tij, dhe më i rëndësishmi, është kthimi i Shqipërisë në një superfuqi rajonale të energjisë së rinovueshme.

n.e/NOA

KOMENTE