Libri, ky produkt intelektual, i cili ka qenë një nga prijëtarët e mendimit dhe përparimit në historinë tonë kombëtare, por edhe në mbarë evolucionin botëror. Ai mbetet ende një nga instrumentet më me vlerë në njohjen e identitetit, kulturës, dijes, dhe vlerave që mbart një shoqëri e emancipuar
Ministër i Turizmit Kulturës Rinise dhe Sporteve
Në detyrën e Ministrit të Turizmit Kulturës Rinise dhe Sporteve por dhe si dashamirës i librit, nuk mund ta fsheh kënaqësinë dhe dëshirën e veçantë që jam i pranishëm mes jush, në këtë takim, i cili promovon një nga vlerat më sublime të shoqërisë njerëzore, librin.
Padyshim libri, ky produkt intelektual, i cili ka qenë një nga prijëtarët e mendimit dhe përparimit në historinë tonë kombëtare, por edhe në mbarë evolucionin botëror. Ai mbetet ende një nga instrumentet më me vlerë në njohjen e identitetit, kulturës, dijes, dhe vlerave që mbart një shoqëri e emancipuar.
Libri, është themeli i kulturës së çdo kombi, është pikërisht ai që na udhëheq drejt rrugës së dijes, faktori që bashkon kombet dhe zhbën kufijtë territoriale, duke transmetuar në gjuhë dhe kultura të ndryshme risitë, traditat, emocionet që përcjell arti i shkruar.
Përmes botës së letrave ne duam të nxisim tek të rinjtë krijimtarinë e lirë si një mundësi për vetëzhvillimin e tyre , afrimin e të rinjve me librin, rritjen e lexueshmërise dhe zgjerimin e horizonteve të dijës si dhe edukimin e të rinjve mbi të drejtat e tyre dhe qytetarinë demokratike, në simbolikë të javës europiane dhe pikërisht vlerat që mbart ajo duke trajtuar përgjatë kësaj jave konceptet si: qytetaria, demokracia dhe pjesëmarrja.
Shqipëria prej vitesh ka aspiruar dhe sot është më pranë se kurrë ndonjëherë, familjes evropiane dhe padyshim që një nga mjetet me të dobishme për përafrimin me vlerat e qytetërimit evropian është dhe mbetet libri, në kontekstin e tij më të plotë; artistik, informues, politik, analitik dhe edukativ
Në kuadër të javës evropiane, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në veçanti Drejtoria e Politikave Rinore dhe ajo e Librit dhe Bibliotekave, në bashkëpunim me Komisionin Europian dhe Këshillin e Europës, nëpërmjet iniciativës “Të njohim Evropën përmes librit”, ka përzgjedhur për t’ju dhuruar, një set librash nga Këshilli Evropian dhe nga kryeveprat e letërsisë klasike dhe bashkëkohore evropiane, dhe autorëve më të shquar shqiptarë, të cilët me veprat e tyre, kanë përvijuar panteonin e vlerave në qytetërimin e sotëm.
Ne sot, po jetësojmë një nisëm, e cila nuk do të jetë e vetmja në llojin e saj, pasi dikasteri që unë drejtoj, ka në misionin e tij, përkujdesjen e vazhdueshme në përhapjen dhe promovimin e dijes dhe vlerave që bart libri në vetvete dhe promovimin e librit si një instrument për integrimin e të rinjve drejt standardeve të demokracive të vendeve të zhvilluara Europiane.