Durrës, 6 Maj NOA - Drejtoria e Politikave Rinore në bashkëpunim me Drejtorinë e Librit zhvilloi sot në Durrës, aktivitetin “Të Njohim Evropën Përmes Librit” me qëllim promovimin e leximit. Kjo në kuadër të javës Evropiane, si dhe 60-vjetorit te Komisionit Europian.
Synimi i këtyre aktiviteteve është edukimi i të rinjve mbi të drejtat e njeriut dhe të qytetarisë demokratike, si një proces shumë i rëndësishëm në integrimin e shoqërisë shqiptare drejt standardeve të demokracive të vendeve të zhvilluara evropiane.
Në kuadër të këtij aktiviteti u realizua takimi i të rinjve dhe mësuesve me Ministrin mbi sensibilizimin e të rinjve mbi të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Evropë, promovimit të librit si një instrument që ndikon në zhvillimin dhe fitimin e lirisë individuale ku kërkojmë të arrimë një impakt shumë pozitiv në zhvillimin e qytetarisë demokratike dhe përfshirjen aktive të të rinjve në shoqëri dhe në vendimmarrje.
Qëllimi i zhvillimit të aktivitetit ishte sensibilizimi i të rinjve përmes aktivitetit të njohim Evropën përmes Librit, me qëllim edukimin e kulturës së mësimit nëpër shkollat duke njohur letërsinë vlerat historike dhe kulturore Evropiane, - thanë organizatorët.
Sipas tyre është i rëndësishëm sensibilizimi i të rinjve për leximin, tërheqja e interesit të tyre ndaj librit, përmes aktiviteteve, afrimi i tyre me bibliotekat, vendi ku ata gjejnë edukim, etikë dhe zbavitje përmes leximit.
Projekti "Të njohim Evropën përmes Librit" është bazuar pikërisht në elementin informues dhe zbavitës, dhe përfshin moshat e shkollave të mesme moshë kur të rinjtë përvetësojnë aftësitë themelore për të vendosur për të ardhmen e tyre dhe ka efekt në modelimin e sjelljeve të tyre të ardhmen.
a.a/d.n/NOA