English

Protesta E Opozitës-Meta: Ekzistojnë Të Gjitha Hapësirat Që Të Gjendet Zgjidhje Përmes Dialogut

TIRANË, 6 Maj/ATSH-Maela Marini/.- Zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta tha sot "se ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe hapësirat, që përmes dialogut, të dilet nga situata e krijuar nga protesta dhe greva e opozitës". Gjatë një prononcimi për mediat, z. Meta shprehu keqardhjen për vazhdimin e grevës nga deputetët e PS-së dhe përkrahësit e tyre. "Shpreh trishtim për sakrificat, vështirësitë dhe problemet që kanë të bëjnë edhe me shëndetin e tyre. Të gjitha pretendimet e tyre lidhur me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit të merren në konsideratë duke respektuar parimet e shtetit ligjor dhe Kushtetutës", tha z. Meta. Ai shprehu bindjen se "ka shumë mundësi për të arritur mënyrën më të mirë të mundshme dhe më konstruktive, për transparencë sipas Kushtetutës". "Unë mbështes vetëm dialogun dhe çdo takim është i dobishëm. Duhet të heqim çdo barrikadë, pasi barrikadat nuk na afrojnë, por na largojnë nga njëri-tjetri. Unë jam i bindur se kryeministri Berisha është i hapur për tu takuar me z. Rama", tha ai. Z. Meta theksoi se "ekziston vullneti i maxhorancës për të ecur drejt një zgjidhje demokratike, konstruktive dhe jo konfrontuese, por vullneti duhet të jetë nga të gjitha palët". "Dialogu është i vetmi mjet që ndihmon përfundimin e kësaj greve dhe kësaj sakrifice që po bëjnë kolegët deputetë dhe përkrahësit e tyre. Unë jam i hapur për çdo lloj kontakti si ministër i Jashtëm, por edhe si kryetar i LSI-së. Një pjesë e kolegëve që janë në grevë janë edhe miq të vjetër dhe kam patur biseda edhe me ta", tha z. Meta. Ai shprehu bindjen se "përmes dialogut dhe hapësirave që ekzistojnë situata mund të zgjidhet në mënyrë shumë civile dhe europiane"./n.m/
KOMENTE