Sejdiu: Ndihme E Jashtezakonshme E Gjermanise Per Kosoven
PRISHTINË, 6 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu e vlerëson të jashtëzakonshme ndihmën e Gjermanisë për Kosovën.
Burime të Presidencës bëjnë të ditur se sot, në ditën e parë të vizitës zyrtare në Gjermani, Sejdiu zhvilloi takime me zyrtarët më të lartë të shtetit gjerman, Presidentin Horst Kohler, Presidentin e Kuvendit, Norbert Lammert, dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Guido Westerwelle, vizitoi Fondacionin Korber, ndërsa pasdite takohet edhe me Kancelaren Angela Merkel.
Ne takimin me presidentin Kohler, Presidenti i Kosovës, Sejdiu falënderoi për ndihmën e pakursyer që ka dhënë dhe që po vazhdon të japë shteti gjerman për Kosovën në të gjitha fushat, përkrahjen e vazhdueshme në të gjithë proceset e rëndësishme politike, angazhimin e ushtarëve gjermanë në kuadër të forcave të KFOR-it, pjesëmarrjen në prezencën ndërkombëtare që nga paslufta, deri sot, etj.
Sejdiu e quajti shumë të rëndësishme ndihmën e madhe ekonomike që Gjermania ka dhënë për Kosovën, duke çmuar bashkëpunimin në fushën e ekonomisë mes të dy vendeve dhe sidomos investimet e kompanive gjermane në Kosovë.
Pas takimeve, Sejdiu tha për mediat mes të tjerave, se "Gjermania mbetet partner i investimeve të parezerva në Kosovë, për njerëzit pa dallim etnie, që është edhe vizioni ynë dhe mbetet një partner i vendosur për të na mbështetur edhe në procese të tjera që kanë të bëjnë me integrimin në Bashkimin Evropian".
Presidenti Sejdiu përkujtoi se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se nuk do të realizohen kurrë prognozat e oguret e zeza të kundërshtarëve të pavarësisë se Kosova do të jetë vend jostabël dhe që do të shkaktojë destabiltet në rajon. "Kemi dëshmuar stabilitet dhe jemi të kënaqur që vendeve mike siç është Gjermania, t'u dëshmojmë arritjet dhe sukseset tona, por edhe sfidat me të cilat ballafaqohemi", tha ai.
Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Gjermanisë ishin tema e takimit të Presidentit Sejdiu me Presidentin e Kuvendit, Norbert Lammert dhe ministrin e Punëve të Jashtme, dr. Guido Westerwelle, ku i njohu me zhvillimet në Kosovë dhe me sfidat e shumta në rrugën e zhvillimit, funksionalizimit të plotë të institucioneve të shtetit, anëtarësimin në FMN dhe BB dhe në afatin më të shpejtë Kosova të anëtarësohet në institucionet euoratlantike.
Në Fondacionin Korber me një ekspoze të gjatë, Presidenti Sejdiu dha zhvillimet në vend dhe paraqiti kahet në të cilat do të zhvillohen proceset e zhvillimit dhe të integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe ju përgjigj interesimit të pjesëmarrësve për një varg çështjesh.
Në orët e pasdites, Presidenti Sejdiu do të takohet me Kancelaren Angela Merkel dhe me një serë zyrtarësh të tjerë të shtetit gjerman, ndërkohë që takimet do të vazhdojnë edhe ditën e nesërme. /a.ke/