English

Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, Pullë Të Përbashkët Postare Për "Nënë Terezën"

-Emetimi i pullës në 97-vjetorin e pullës së parë shqiptare- TIRANE, 6 Maj /ATSH-E.Xhajanka/- Postat e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë do të emetojnë një pullë postare të përbashkët kushtuar 100- vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Në ditën e 97-vjetorit të pullës së parë shqiptare, drejtues të Postave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, përkatësisht Arqile Gorea, Rafet Jashari dhe Ejup Rustemi në prani të Ministrit për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo deklaruan në Tiranë emetimin e një emisioni pullash postare të përbashkët kushtuar "100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës". Ministri Pollo duke vlerësuar bashkëpunimin mes tre vendeve fqinjë në sektorin postar, tha se ky "është një hap i ri që do të rrisë shërbimet postare ndaj klientit dhe do të zgjerojë hapësirat e bashkëpunimit me organizatat homologe, kompanitë publike në Kosovë dhe Maqedoni". Ndërsa kreu i Postës Shqiptare, Arqile Gorea vlerësoi se "emetimi i pullës së përbashkët është një risi e veçantë". Sipas tij, emetimi i kësaj pulle do të "fiksojë" në celuloid jetën dhe veprën e Nënë Terezës. "Shpresojmë që kjo marrëdhënie që sot merr udhë me një konkretizim nëpërmjet prodhimit të pullës së përbashkët, do të vazhdojë dhe në planin e përmirësimit të kualiteteve cilësore si të administratave, ashtu dhe të shërbimeve që do të jenë në favor të njerëzve", tha Gorea./s.s./
KOMENTE