English

Sport-Futboll/ Rrëfehet Lorik Cana, Nga Sandërlendi Tek Kupa E Botës

TIRANË, 6 Maj / ATSH- Gjergji Mima/- Kapiteni shqiptar i Sandërlend, Lorik Cana, në një prononcim për gazetën "The Journal" ka bërë një analizë të sezonit të tij të parë në Premier Ligë dhe ka treguar preferencat e tij mbi skuadrat e botërorit. Cana tha se Sandërlend ka ende nevojë për kohë për ta ndërtuar veten si një ekip që mund të konkurrojë për një vend mes 10 më të mirave në Angli. Gjithsesi, Cana është i bindur se ata janë në rrugën e duhur pas përpjekjeve të këtij sezoni. Ai tha për "The Journal"se, në Premier Ligë, askush nuk mund të bëjë shumë shpejt hapa të mëdhenj përpara. "Nëse ju shikoni tetë ekipet e para në këtë kampionat, ata janë shumë, shumë të fuqishme. Katër ekipet e para janë midis ekipeve më të mira në botë, dhe katër të tjerat - Tottenham, Manchester City, Aston Vila dhe Everton - janë ekipe të fuqishme europiane. Nëse ata do të luanin në çdo kampionat tjetër europian, me përjashtim ndoshta të Spanjës, unë jam mjaft i sigurt se ato do të luftonin për titullin. Nëse ato të ishin në Francë, Gjermani, Holandë apo Itali, ato do të kishin një shans për të qenë kampionë", u shpreh Cana, duke vlerësuar kampionatin anglez dhe skuadrat e tij. Ndërsa për të ardhmen Cana tha se "ne kemi tashmë lojtarë të mirë. Kemi thjesht nevojë për pak eksperiencë, pasi në luftuam në mesin e këtij sezoni kur u goditëm nga dëmtimet dhe pezullimet, por ne gjithashtu kemi nevojë për pak më shumë cilësi. Sandërlendi ka nevojë për tre lojtarë cilësorë për të qenë më kompetitivë gjatë gjithë sezonit, por nuk ka nevojë për ndryshime masive". Ndërkohë përsa i përket Kupës së Botës, "Afrika e Jugut 2010" që do të mbahet nga 11 qershori deri në 11 korrik, Cana shpreson që shoku i tij i skuadrës, sulmuesi Darren Bent, të jetë pjesë e përfaqësueses angleze dhe të zhvillojë një kampionat mjaft të mirë. Ndërsa përsa i takon Portugalisë, rivales së Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit, Cana tha se që të jenë pretendentë për Botërorin ata më parë duhet të mundin Shqipërinë. "Mendoj se nuk mund të ketë një ekip më të mirë se Spanja, ata kanë lojtarë fantastikë. Brazili si gjithmonë është favorit. Edhe Anglia mendoj se do të arrijë deri në gjysëmfinale. Askush nuk flet për Francën, por them se ata do të jenë një surprizë", përfundoi Cana./s.s./
KOMENTE