English

Sport-Futboll/ Trajneri Shpëtim Duro Rikthehet Tek Besa

TIRANË, 6 Maj/ATSH-Gjergji Mima/. - Ka zgjatur pak ditë mungesa e trajnerit Shpëtim Duro nga skuadra e Besës, pas shkarkimit të tij nga presidenti Nexhat Bizhdili dhe akuzave për lënien në barazim të ndeshjes së Superligës Besa- Tirana, të premten e kaluar. Presidenti i ekipit kavajas, Nexhat Bizhdili, është penduar për shkarkimin e Duros dhe ka bërë një hap prapa duke e rikthyer në skuadër. Tashmë Bizhdili është bindur se ndeshjen e së premtes ndaj Tiranës, (barazim 1-1), nuk e kishte shitur trajneri i tij, që e çoi këtë skuadër në vendin e dytë të Superligës që pas vitit 1958. "Pas dy ditësh konsultimi me lojtarët, edhe një nga një edhe në grup më doli që Shpëtim Duro nuk ka dhënë urdhër që ndeshja të dalë barazim dhe lojtarët janë të kënaqur me vendin e dytë. Trajneri Duro nuk ka patur gisht në këtë punë. Vendimi im ndoshta ishte pak i nxituar", deklaroi presidenti Besës, Nexhat Bizhdili. Ndërkohë trajneri Shpëtim Duro, në prononcimin e tij të parë për mediat për këtë rikthim, shprehet i kënaqur që do të ketë mundësinë të jetë në drejtimin e skuadrës së Besës në finalen e së dielës me Vllazninë dhe gjithashtu do të mund të kurorëzojë me vendin e dytë këtë sezon mjaft të mirë për skuadrën e Kavajës. "Bashkëpunimi im me presidentin Bizhdili ka qënë mjaft pozitiv në të gjitha aspektet dhe pikërisht ky bashkëpunim bëri që të mos prishet vazhdimësia e punës për një moment", tha trajneri Shpëtim Duro./s.s.
KOMENTE