Sport-Merkato/ Migen Memelli Drejt Kalimit Në Kampionatin Qipriot
TIRANË, 6 Maj / ATSH- Gjergji Mima/.- Sulmuesi pogradecar i Flamurtarit, Migen Memelli, është pranë transferimit në kampionatin qipriot.
Forma e shkëlqyer që po kalon pogradecari ka rritur interesin e klubeve jashtë Shqipërisë, por Qipro duket si destinacioni më i mundshëm.
Emri i skuadrës së re vazhdon të mbetet mister, ndërsa të hënën Memelli pritet të zhvillojë një vizitë dyditore në ambientet e klubit, për t'u njohur nga afër me atë që do të jetë realiteti i ri në karrierën e tij si profesionist.
Pas 22 golave të sezonit të kaluar, ku fitoi edhe "Këpucën e Artë" në Superiore, në këtë edicion Memelli ka realizuar 13 gola edhe pse humbi gjysmën e parë të kampionatit për shkak dëmtimi.
"Në provë në Qipro? Jo, nuk bëhet fjalë për një provë. Të hënën do të udhëtoj drejt këtij vendi dhe qëllimi është të shoh nga afër ambientet dhe të njihem me drejtuesit e klubit ku do të transferohem në sezonin e ardhshëm. Ende nuk mund të them asgjë për emrin e skuadrës", deklaroi sot për mediat sulmuesi i Flamurtarit, që vazhdon të jetë në garën për golashënuesin më të mirë në vend.
Kur mungojnë edhe dy javë nga mbyllja e kampionatit shqiptar, Memelli ka vetëm dy gola më pak se Mladden Brkiç i Apolonisë. Tashmë, kur ka festuar 30-vjetorin e lindjes, Memelli është shprehur gati për një tjetër aventurë jashtë vendit, pas aktivizimit me norvegjezët e Bran Bergen në vitin 2006 dhe me suedezët e Gais në sezonin 2007-2008. /a.ke/