Sport-Mundje/ Kombëtarja E Mundjes Në Kampionatin Mesdhetar
TIRANË, 6 Maj / ATSH- Gjergji Mima/ - Ekipi shqiptar i mundjes do të marrë pjesë në datat 7-9 maj, në kampionatin mesdhetar të mundjes për të rritur, që do të zhvillohet në Stamboll.
Ky do të jetë aktiviteti i dytë që Shqipëria merr pjesë, pas heqjes së pezullimit 2-vjeçar. Aktiviteti i parë ishte turneu evropian i Greqisë në muajin mars.
Federata Shqiptare e Mundjes ka publikuar edhe listën e sportistëve që do të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë eveniment. Mundja shqiptare do të përfaqësohet me 9 sportistë, përkatësisht 4 në stilin klasik dhe 5 në stilin e lirë, 1 gjyqtar ndërkombëtar dhe 2 trajnerë.
Burime nga FSHM, konfirmuan për ATSH-në se "në kampionatin mesdhetar do të konkurrojnë mundësit më të mirë, të përzgjedhur nga të gjitha klubet e vendit, të cilët prej disa muajsh kanë qenë të grumbulluar në ambientet e Sport Klub Tiranës".
Turneu evropian i zhvilluar në Athinë në muajin mars shërbeu për përgatitjen e mundësve shqiptarë në kuadër të pjesëmarrjes në kampionatin mesdhetar në Stamboll./s.s./