Sport-Volejboll/ Studenti Shpallet Kampion I Shqipërisë Në Volejboll Për Meshkuj
TIRANË, 6 Maj / ATSH- Gjergji Mima/- Ekipi i Studenti është shpallur kampion i Shqipërisë në volejboll për meshkuj. Skuadra kryeqytetase mundi sot Vllazninë në ndeshjen e tretë finale duke ngritur lart trofeun më të rëndësishëm të sezonit.
Fitorja e sotme 3-0 ndaj skuadrës shkodrane tregon edhe një herë se skuadra kryeqytetase është ndërtuar për të fituar.
Një sfidë pa shumë histori ka qenë finalja e sotme e zhvilluar në pallatin e sportit "Asllan Rusi". Takimi ka nisur mirë për Studentin që pikë pas pike krijon avantazhin dhe arrin të fitojë setin e parë 25-19.
Shkodranët nga ana tjetër kërkojnë historinë dhe kanë shansin më të mirë për të fituar titullin kampion. Por, përballë kundërshtarëve kryeqytetas e kanë të vështirë. Edhe seti i dytë i takon Studentit që fiton 25-13 duke shkuar e qetë drejt titullit kampion.
Seti i tretë është vendimtar për të dyja skuadrat. Vllaznia duke parë rrjedhën e ndeshjes jep gjithçka në parket dhe arrin të rivalizojë më shumë se dy setet e tjera. Por, janë sërish kryeqytetasit që fitojnë 25-22 dhe të gjithë ndeshjen 3-0 duke u shpallur kampionë.
Studenti e ka bërë pronë të vetën titullin kampion prej disa sezonesh. Kryeqytetasit kanë krijuar një skuadër me elementë cilësorë dhe janë një grup i fortë volejbollistësh. Edhe këtë sezon, Studenti i'a doli të fitonte pa shumë vështirësi trofeun më të rëndësishëm të sezonit dhe tashmë do të fillojë përgatitjet për Kupat e Europës.
Ndërsa skuadra shkodrane nga ana tjetër nuk e ka fituar asnjëherë titullin kampion dhe këtë sezon kishte shansin më të mirë për ta bërë këtë duke qenë se arriti në finale. Një skuadër simpatike, e cila ia doli të fitojë ndeshjen e dytë finale në Shkodër dhe ta çojë diskutimin e trofeut në takimin e tretë që u zhvillua sot. Por, nuk ia arriti që të ngrejë lart titullin dhe të shkruajë historinë.
- Finalja e kampionatit shqiptar të volejbollit (meshkuj)
Studenti - Vllaznia 3-0
(25-19, 25-13, 25-22)