Tropojë: Gështenja Ende E Rrezikuar Nga Sëmundja E Kancerit
TROPOJË, 6 maj /ATSH-R.Hoxha/ - Një pjesë e masivit të gështenjës (10 për qind) në rrethin e Tropojës është e prekur nga sëmundja e kancerit, që, nëse nuk luftohet në kohë, e than krejtësisht pemën.
Luftimi i kësaj sëmundjeje në masivin e gështenjës, më i madh i këtij drufrutori në Ballkan, është vënë në qendër të vëmendjes së specialistëve.
"Ky është shqetësimi më i madh yni për mbrojtjen e këtij masivi që realisht rrezikohet të pësojë dëmtime të ndjeshme nëse nuk merren masa të shpejta," thotë specialisti Ismet Hajdari.
"Pas privatizimit të masivit, sëmundja ka ardhur duke rënë, pasi vetëm 10 vjet më parë mbi 20 për qind e tij ishte e prekur prej kësaj sëmundjeje," thotë Hajdari.
Sipas tij, deri tani në bashkëpunim me fermerët është bërë e mundur vetëm bllokimi i përhapjes së saj, por jo eliminimi.
Masivi i gështenjës në rrethin e Tropojës zë një sipërfaqe prej rreth 2400 ha me mbi 220 mijë rrënjë prej të cilave rreth 200 mijë janë në prodhim. Rendimenti për rrënjë arrin në 35 - 45 kilogram, ndërsa prodhimi vjetor arrin në mbi 1800 tonë gjithsej.
Një pjesë e mirë e prodhimit të gështenjës eksportohet në vende si, Gjermani, Austri, Turqi etj./ch/