Turqi - Plagosen 16 Persona Nga Përplasja E Dy Trenave
STAMBOLL, 6 maj /ATSH-AFP/ - Dy trena udhëtarësh u përplasën sot në veriperëndim të Turqisë, duke shkaktuar 16 të plagosur, njoftoi televizioni i informacioneve të pandërprera CNN-Turk.
Aksidenti, që ndodhi në provincën Kocaeli, fqinje me Stambollin, nuk shkaktoi të vdekur, vazhdoi televizioni, duke shtuar se njëri nga të plagosurit është në gjendje të rëndë.
Dalja nga shinat e një vagoni mund të jetë shkaku i përplasjes, bëri të ditur CNN-Turk.
Aksidentet hekurudhore janë të shpeshta në Turqi, vend me një rrjet hekurudhor të vjetëruar. Një nga më të përgjakshmit prej tyre shkaktoi 37 të vdekur më 22 korrik të vitit 2004. Njëzetë ditë më vonë, një përplasje tjetër shkaktoi tetë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.
/I.Pu.