Vlorë, Çelet Edicioni I 11-Të I Panairit "Ekspo Vlora 2010"
VLORË, 6 Maj/ATSH-Harilla Koçi/.-Të mërkurën në mbrëmje në Pallatin e Sportit të qytetit të Vlorës u çel edicioni i 11-të i Panairit "Expo Vlora 2010", ku përfaqësohen subjekte të ndryshme tregtare, shërbimi dhe prodhuese nga qytete të ndryshme të vendit dhe rajoni.
Ky aktivitet, që organizohet nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Vlorës, është shndërruar tashmë në një traditë për komunitetin e biznesit në këtë qytet.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Arben Breshani, tha për ATSH-në se, Panairi Ndërkombëtar "Ekxpo Vlora" është konceptuar si pjesë e aktiviteteve që do të organizohen në këtë qytet, në kuadrin e çeljes së sezonit turistik veror 2010. Në të marrin pjesë mbi 50 firma të njohura nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni.
Breshani shton gjatë ditëve të zhvillimit të këtij aktiviteti në mjediset e Pallatit të Sportit do të organizohen edhe seminare me tematika të ndryshme, mes të cilëve ai për çertifikimin ISO, për sigurimin e jetës dhe pensionet private, etj.
Edicionet paraardhëse të këtij panairi janë zhvilluar në fundin e muajit shtator, por, me zhvendosjen e tij në muajin maj, organizatorët synojnë që ai t'i shërbejë më mirë promovimit të vlerave turistike të bregdetit të Vlorës.
Me këtë rast, në mjediset e Pallatit të Sportit u zhvillua një ceremoni me pjesëmarrjen e qytetarëve të shumtë, përfaqësuesve të pushtetit dhe institucioneve të ndryshme vendore, deputetë të këtij Qarku, Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në këtë qytet, Sergio Strozzi, etj.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Arben Breshani, e cilësoi panairin si pjesë të zhvillimeve të qytetit të Vlorës dhe faktor nxitës në zhvillimin e biznesit./s.s./