English

Analizë - Britani - Mungesa E Marrëveshjes Mes Partive Sjell Rrezikun E Zgjedhjeve Të Reja

LONDËR, 7 maj /ATSH-AFP/ - Partitë politike britanike kanë afat 18 ditë për të zgjidhur kaosin institucional të trashëguar të zgjedhjeve legjislative dhe të vendosin se kush do të qeverisë, konservatorët apo laburistët. Çështja është të shmangen zgjedhjet e reja dhe bezdisja e Mbretëreshës, mbrojtëse e institucioneve, bëjnë të ditur analistët. "Numërimi së prapthi filloi", u shpreh Peter Hennessy, historian i Queen Mary University. "U takon partive të harrojnë mosmarrëveshjet fisnore dhe të përpiqen për gjetjen e një kompromisi deri në fillimin zyrtar të punimeve të parlamentit", theksoi ai. Hapja zyrtare e parlamentit, që tradicionalisht karakterizohet nga "fjalimi i mbretëreshës" gjatë të cilit sovrania lexon programin e kryeministri, është caktuar për më 25 maj. Ajo do të pasohet nga procesi i votëbesimit të qeverisë. "Nëse nuk do të mbijetoni, çështja është e zgjidhur, ju mbetet vetëm të jepni dorëheqjen, duke e detyruar mbretëreshën të kërkojë një tjetër", shpjegoi profesori për BBC-në. "Por, nuk ju intereson të kërkoni grindje me gjyshet dhe sidomos me atë të Buckingham Palace. Ajo ka parë 12 kryeministra dhe gëzon një popullaritet të madh në vend. Do të ishte një politikë shumë e gabuar të krijoni përshtypjen se do t'i thoni ju mbretëreshës se çfarë duhet të bëjë", theksoi ai. "Partitë politike e kanë për detyrë ta zgjidhin mes tyre problemin", i konfirmon më shkurt AFP-së Akach Paun, i Institute for Government të Londrës. Në mungesë të Kushtetutës së shkruar, disa marrëveshje institucionale paksa të çuditshme kërkojnë nga një parti që të marrë shumicën absolute në parlament në mënyrë që të autorizohet për të formuar qeverinë. Në rast të kundërt, në rast të një parlamenti të quajtur "të varur", kryeministri i deritanishëm, edhe pse i mundur në zgjedhje, ka prioritetin të përpiqet për gjetjen e formulës, aleancë ose koalicion, që do t'i bëjë të mundur mbetjen në pushtet. Në rast dështimi, ai paraqet dorëheqjen. Skenari i dyshuar i një parlamenti "të varur", që nuk ka ndodhur që prej 36 vjetësh, u paraqit sot. Fitues i zgjedhjeve, por i privuar nga shumica absolute, konservatori David Cameron pretendon të hyjë në qeveri (Downing Street) pas 13 vjetë qëndrimi jashtë arenës politike. Por, laburisët e kryeministrit Gordon Brown, të cilët dalin të dytët, parashikojnë "të qëndrojnë me forcë", sipas formulës së të përditshmes "The Guardian". Bisedimet mes grupeve duken të ashpra. Laburistët shprehen të gatshëm të diskutojnë për koalicion me liberaldemokratët e Nick Clegg. Por, ky i fundit thekson se partia e konservatorëve, që doli në krye, "ka prioritetin të përpiqet për gjetjen e një formule qeverisjeje të qëndrueshme". Për sa u përket konservatorëve, ndryshe nga laburistët, ata po shfaqen më pak të prirur të pranojnë një kusht paraprak të paraqitur nga liberaldemokratët: heqja dorë nga votimi me lista njëemërore me një tur, përgjegjës për kaosin aktual. "Zgjedhje të tjera mund të zhvillohen pas pak kohe, sepse nuk partitë nuk po bien dakord", deklaroi David Butler, i Nuffield College të Oksfordit. Victoria Honeyman e universitetit të Leeds-it, shpreh gjithashtu shqetësimin për organizimin e zgjedhjeve të reja "brenda këtij viti". Dhe kjo pavarësisht nga ndihma e tre "Mandarinëve" të "Trekëndëshit të artë" Pallati/qeveria/parlamenti, të gatshëm të lehtësojnë bisedimet, nën mbikëqyrjen e funksionarit më të lartë të mbretërisë, sekretarit të përgjithshëm të qeverisë, Gus O'Donnell. "Kryeministër, a do të jepni dorëheqjen?", u lodhën së foluri gazetarët, pa marrë përgjigje nga Gordon Brown, i cili u kthye sot në mëngjes në selinë e kryeministrisë. Sot, mbretëresha u dha dekorata rreth 100 personave, brenda rrethit të kështjellës së saj në Windsor. Në rast nevoje ajo do të kthehet menjëherë me helikopter në Pallatin Bakingam. "Këto janë zgjedhje alla Mick Jagger: "no satisfaction". Të gjithë janë tërësisht të pakënaqur me rezutatet", shprehu keqardhjen Peter Hennessy. /I.Pu.
KOMENTE