English

Berisha: Administrata Publike, Rëndësi Të Veçantë Për Konsolidimin E Shtetit

- Kryeministri Berisha takon delegacionin e Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës - TIRANË, 7 Maj/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha tha sot, gjatë takimit me një delegacion të Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës, të kryesuar nga Ministrja, Edita Tahiri, se "administrata publike ka një rëndësi të veçantë për konsolidimin e shtetit dhe zhvillimin e shpejtë të vendit, ndaj dhe qeveria shqiptare e konsideron shumë të rëndësishëm investimin në administratë". Zyra e shtypit e Kryeministrit bëri të ditur se Kryeministri Berisha theksoi se "dy vendet tona kanë nevojë për një administratë profesionale e të qëndrueshme". Ai theksoi se qeveria shqiptare ka përcaktuar stimuj dhe bonuse të ndryshme për ata që janë shkolluar në perëndim dhe punojnë në administratën publike. "Përgjigjet e Pyetësorit që u përgatitën për në BE ishin një ushtrim i rëndësishëm për administratën shqiptare dhe ajo e kapërceu me sukses", tha Kryeministri Berisha. Sipas tij, "një ndër prioritetet për zhvillimin në një nivel më të lartë profesional të administratës është edhe ngritja e një universiteti të administratës publike". Gjithashtu, Kryeministri theksoi se "qeverisja elektronike është shumë e domosdoshme dhe qeveria shqiptare do të ecë me shpejtësi në këtë drejtim". Kryeministri Berisha siguroi se "qeveria e Shqipërisë do të japë mbështetje të plotë edhe për regjistrimin e popullsisë dhe të banesave në Kosovë, duke qenë se në këtë drejtim është krijuar një përvojë shumë e vlefshme. "Ju garantoj se mbështetja jonë do të jetë e pakursyer, pasi na duhet bashkarisht zhvillimi ekonomik dhe integrimi global", tha Kryeministri. Ndërsa, znj. Tahiri vlerësoi progresin që ka arritur Shqipëria, si anëtarësimi në NATO, proceset integruese evropiane, ndërtimi i rrugës që lidh Shqipërinë me Kosovën etj. /m.m/s.s./
KOMENTE