Berisha Kërkon Ndërmarrjen E Një Pastrimi Të Përgjithshëm Të Territorit Në Funksion Të Përgatitjes Së Sezonit Turistik
TIRANE, 7 Maj/ATSH/.- Kryeministri Berisha kërkoi sot, në mbledhjen e Task-Force për vlerësimin e problematikave mjedisore, ndërmarrjen e një pastrimi të përgjithshëm të territorit, në funksion edhe të përgatitjes këtë vit të sezonit turistik më të fuqishëm që vendi ka njohur.
Zyra e shtypit e Kryeministrit bëri të ditur se mbledhja e Task Force-s u përqendrua në marrjen e masave të shpejta dhe energjike për pastrimin e territorit, në mënyrë të veçantë zonave turistike, në prag të fillimit të sezonit të ri turistik dhe të detajimit të detyrave për të gjitha institucionet që duhen të angazhohen në këtë proces.
Në fillim të mbledhjes, Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të detyrës së kësaj Task Force dhe kërkoi angazhimin e plotë të institucioneve në nivel qendror dhe të qeverisjes vendore për ndryshimin e shpejtë të pamjes së territorit, veçanërisht të zonave turistike.
"Vitin e kaluar pati një rritje të papërmbajtur të numrit të turistëve dhe shpresojmë se edhe ky vit do të njohë një rritje të tillë. Është e domosdoshme që të përcaktohen zonat e kampingjeve, të cilat të përcaktohen afër infrastrukturës. Vitin e kaluar, në disa aspekte ka qenë shumë e trishtuar, kur njerëzit kanë kaluar natën në makina. Ne detyrimisht duhet të krijojmë zonat e rulotëve dhe të kampingjeve", u shpreh Kryeministri.
Duke theksuar se kjo veprimtari nuk është ndërmarrë ndonjëherë dhe këtë mund ta bëjë vetëm qeveria qendrore, Kryeministri kërkoi të përcaktohen të gjitha mjetet e transportit, të ngarkim-shkarkimit për fillimin nga puna.
Shqipëria, tha Kryeministri, duhet të çlirohet në mënyrë përfundimtare qoftë edhe nga një makinë e vetme, e hedhur në anë të rrugës. Për këtë, Kryeministri kërkoi hartimin me urgjencë të ligjit për penalizmin e të gjithë atyre që hedhin makinën e tyre jo në vendin e destinuar për grumbullimin e tyre.
Kjo detyrë, tha Kryeministri, "ka për qëllim ndryshimin rrënjësor të shpejtë dhe energjik të pamjes së këtij vendi, që shëmtohet në mënyrën më të pamerituar nga mijëra skelete makinash të hedhura në të katër anët e vendit, pa asnjë kriter dhe asnjë përgjegjësi. Kjo përbën paraqitjen më të keqe për miliona turistë, që vijnë për të kaluar pushimet në Shqipëri. Mund të ecni mijëra apo edhe dhjetëra mijëra kilometra në rrugët e Europës dhe një situatë si kjo, në Shqipëri, nuk e gjeni. Po kështu, ka një qëndrim indiferent nga drejtuesit vendorë për pastrimin e territorit. Ndaj, kjo Task Force ka për qëllim kryesor t'i japë një pamje të re vendit, ku duhet të kontribuojnë të gjitha institucionet, ushtria, policia, bashkitë, komunat, ministria e Mjedisit, ministria e Kulturës, Arsimit, Financave, sigurisht me fonde".
Në përfundim të mbledhjes, Task Force vendosi që çdo varrezë makinash e pa licencuar të grumbullohet nga kjo Task Force e të dërgohet në destinacionin e caktuar. Po kështu, u vendos që çdo varrezë makine e licencuar do të jetë e detyruar të largohet 5 kilometra nga çdo aks rrugor kombëtar ose rajonal. /s.s./