English

Berisha: Shqipëria Dhe Kosova Të Alternojnë Turizmin Bregdetar Me Atë Alpin Për Zhvillimin E Tyre

- Kryeministri Berisha takon ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Lutfi Haziri - TIRANË, 7 Maj/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha tha sot gjatë takimit me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Lutfi Haziri, se "Shqipëria dhe Kosova i kanë të gjitha mundësitë për të alternuar turizmin bregdetar dhe atë alpin në favor të prosperitetit të tyre". Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kreu i Qeverisë tha se "është një shans i madh për kulturën tonë kombëtare, që në dobi të saj punojnë së bashku dy administrata". "Shqiptarët kanë një identitet të qartë që krijon siguri, krenari dhe nuk e komplekson popullin tonë ndaj popujve të tjerë", tha ai. Etnokultura dhe gjuha jonë, sipas Kryeministrit Berisha, "janë dy elementë që e kanë ruajtur dhe forcuar më shumë se çdo gjë tjetër identitetin tonë kombëtar". "Ne nuk duhet të kursejmë asgjë për forcimin e institucioneve tona të kulturës kombëtare, për nxitjen e talenteve të reja dhe zhvillimin e burimeve kulturore", tha Kryeministri. Kryeministri informoi se "Shqipëria është në fazën e një reforme të thellë për të ngritur institucionet kulturore në nivelin e kërkesave të menaxhimit evropian të monumenteve, muzeve dhe projekteve të zhvillimit kulturor kombëtar". Krahas shkëmbimeve kulturore, Kryeministri Berisha theksoi se "alpet shqiptare do të ishin një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit në fushën e turizmit si dhe në evidentimin e bukurive të natyrës". Ndërsa, z. Haziri i dhuroi Kryeministrit Berisha në mënyrë simbolike deklaratën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në një pergamenë. Ai shprehu mirënjohjen për kontributin e madh që Kryeministri Berisha ka dhënë për pavarësinë e Kosovës e gjithashtu për ruajtjen dhe mbrojtjen e etnokulturës dhe gjuhës sonë kombëtare në të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët. "Sot jemi mjaft të kënaqur sepse kemi nënshkruar programin e bashkëpunimit kulturor për vitet 2010-2012 me Ministrinë e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë. Kjo marrëveshje do t'i shërbejë nxitjes së bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore të dy vendeve të të njëjtit popull. Për këtë arsye ne do të jemi mbartësit, por edhe gardianët e këtij program të përbashkët", tha ministri Haziri./m.m/s.s./
KOMENTE