English

Bode: Prioritet Lufta Kunder Krimit Ekonomik Dhe Korrupsionit

TIRANË, 7 Maj/ATSH, Andi Myrtaj/ - Ministri i Finacave Ridvan Bode tha sot se, lufta kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit është një angazhim prioritar i qeverisë. I pranishëm në një aktivitet të zhvilluar sot në Tiranë me rastin e 1-vjetorit të strukturës së përbashket hetimore "Task Force" për luftën kundër korrupsionit, ministri Bode tha se, "Qeveria shqiptare e konsideron një angazhim prioritar të saj ndëshkimin dhe dekurajimin e krimit ekonomik dhe korupsionit". Bode përshëndeti rezultatet e arritura deri tani nga njësia hetimore antikorrupsion dhe evidentoi frymën e mirë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të përfshira në këtë Njësi. "Rezultatet e arrituara janë inkurajim për të gjitha institucionet për të vepruar me më shumë energji dhe tolerancë zero ndaj këtyre fenomeneve", tha ministri i Finacave, Ridvan Bode, duke shprehur angazhimin e qeverisë për inkurajimin dhe mbështetjen e institucioneve ligjzbatuese. Ministri Bode u ndal tek nismat ligjore të ndërmara nga qeveria me efekt pozitiv në luftën kundër krimit ekonomik, ku veçoi miratimin e ligjit "Për bllokimin e pasurive me prejardhje kriminale", miratimin e ndyshimeve ne ligjin "Per procedurat tatimore", ligjin "Për luftën kundër pastrimit te parave dhe luftës ndaj terrorizmit", etj. Duke u ndalur tek reformat fiskale dhe strukturore, Bode tha se ato "kanë mundësuar raportimin on-line të bizneseve dhe bankave, uljen e barrës fiskale, pengesave për të hyrë në treg, modernizminin e sistemit fiskal, duke krijuar e forcuar çdo ditë e më shume klimën e duhur për parandalimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit". Sipas të dhënave zyrtare, Drejtoria e Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financës në vitin 2009 ka dërguar për procedim 194 raste të dyshimta për pastrim parash, nga 76 raste në vitin 2008, ndërsa u bë e mundur bllokimi i një shume prej 4 milion euro në asete, të cilat mendohet se rrjedhin nga veprimtaritë kriminale. Specialistë nga Ministria e Finacës dhe strukturave të saj janë pjesë përbërëse e Njësisë së përbashkët hetimore Task Force të ngritur një vit më parë në Prokurorinë e Tiranës për luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit. Pjesë e kësaj strukture janë edhe ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Deklarimit të Pasurive./n.m/
KOMENTE