English

Britani - Zgjedhje - Konservatorët Kërkojnë Hapur Koalicion Me Liberaldemokratët

LONDËR, 7 maj /ATSH-AFP/ - Konservatorët u ofruan sot një ndarje pushteti Liberaldemokratëve, partia e tretë britanike, pasi kanë dështuar në garantimin e shumicës abslute në zgjedhjet e djeshme, por laburisti Gordon Brown nuk e pranoi disfatën dhe qëndroi në pritë. "Kërkoj t'u bëj një ofertë të gjerë, të hapur dhe globale liberaldemokratëve. Mendoj se kemi një bazë të fortë për një qeveri të fortë", bëri të ditur kreu i konservatorëve, David Cameron, duke shtuar se bisedimet do të fillojnë "menjëherë". Megjithatë, lideri konservator i kufizoi fushat për të cilat do të ishte i gatshëm për kompromis, veçanërisht për Evropën: Konservatorët përjashtojnë çdo mundësi për miratimin e euros, ndërsa liberalët e kanë atë qëllimin e tyre afatgjatë. Sidoqoftë konservatorët pranuan të fillojnë reflektimin lidhur me reformën elektorale kaq të dëshiruar nga liberalët e Nick Clegg. Cameron dhe Clegg zhvilluan një bisedë telefonike sot në orët e fundit të ditës. "Ata ranë dakord për të analizuar propozimet lidhur me një program reforme politike dhe ekonomike", bëri të ditur një zëdhënës i Partisë Liberaldemokrate. Një asamble e deputetëve liberalë është parashikuar të zhvillohet nesër në orën 11:00 GMT. /I.Pu.
KOMENTE