English

Cisjordani - Mitchell Takohet Me Drejtuesit Palestinezë Në Ramallah

RAMALLAH, 7 maj /ATSH-AFP/ - I dërguari amerikan George Mitchell filloi sot në mbrëmje bisedimet me presidentin e Autoritetit palestinez, Mahmud Abas, në Ramallah, në Cisjordani, në kuadrin e përpjekjeve për nxitjen e dialogut mes palestinezëve dhe izraelitëve. Ky është takimi i parë mes Mitchell dhe palës palestineze që prej fillimit të misionit të ri në rajon të të dërguarit amerikan për Lindjen e Mesme. Ky i fundit është takuar dy herë me liderët kryesorë izraelitë, ndër të cilët kryeministri Benjamin Netanjahu ditët e fundit në Jerusalem dhe në Tel Aviv, në një atmosferë skepticizmi të përgjithshëm. Mitchell u takua në mbrëmje me Abas dhe me negociatorin kryesor Saëb Erakat, në Muqataa, selia e Autoritetit palestinez në Ramallah, në Cisjordani, njoftoi një gazetar i AFP-së. I dërguari amerikan është takuar më parë gjatë ditës me presidentin izraelit Shimon Peres, me shefin e diplomacisë Avigdor Lieberman dhe me shefen e opozitës Tzipi Livni. Komiteti Ekzekutiv i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP) pritet të mblidhet të shtunën në mesditë për të miratuar, në parim, rifillimin e dialogut me izraelitët, i ndërprerë që prej luftës së fundit në Gaza në fund të vitit 2008. Sipas një zyrtari të lartë palestinez, pas një ecejake të fundit diplomatike mes izraelitëve dhe palestinezëve, Mitchell mund të njoftojë zyrtarisht fillimin e bisedimeve jo të drejtpërdrejta të shtunën në mbrëmje ose të dielën, përpara se të largohet nga rajoni. /I.Pu.
KOMENTE