English

Deklarata e plotë e Presidencës pas takimit me ambasadorët

Tiranë, 07 Maj, NOA – Pas shtatë ditësh grevë urie dhe një situatë të ndezur politike në vend, vetëm sot Presidenti Bamir Topi dhe ambasadorët kryesor të vendeve të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë zhvilluar takime të gjetur zgjidhje për krizën politike.

Duke mbajtur në sekretë të plotë diskutimet e zhvilluara në presidencë dhe në Ambasadën e SHBA-ve, asnjë prej palëve në takimet me Presidentin nuk ka folur për mediat. I vetmi njoftim që është bërë nga pjesëmarrësit në negociata është ai i Zyrës së Shtypit të Presidencës. Më poshtë botojmë të plotë njoftimin Presidencës për takimin që synon të zgjidh një prej krizave më të mëdha të viteve të fundit.

“Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në mesditë Kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ambasadorin Helmut Lohan, si dhe Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në vendin tonë, Manuel Montobio de Balanse, me të cilët zhvilloi një bisedë për situatën më të fundit politike në vend. Ky takim erdhi në vazhdën e disa takimeve të tjera që Kreu i Shtetit ka zhvilluar sot edhe me Zëvendëskryeministrin Meta dhe Ambasadorin amerikan, Xhon Uithers II në rezidencën e këtij të fundit.

Palët në takim shkëmbyen mendime lidhur me aktualitetin politik, duke iu referuar kryesisht grevës së urisë filluar nga deputetët socialistë dhe mbështetësit e kësaj force politike.

Bashkëbiseduesit vunë theksin në rëndësinë e rifillimit sa më të shpejtë të dialogut politik institucional, i cili është një hap sa i domosdoshëm, aq edhe i rëndësishëm për kapërcimin e situatës së krijuar dhe zgjidhjen e saj në kërkim të ruajtjes së standardeve institucionale dhe të forcimit të vlerave demokratike në Shqipëri dhe ecurisë së suksesshme drejt integrimit të plotë të saj në Bashkimin Evropian”.

m.xh/NOA

KOMENTE