Durrës: "Pesë Krevatet", Historia E Treguar Prej Teatrit Alternativ
DURRËS, 7 Maj /ATSH-Kabashi/ - "Pesë krevatet" ishte spektakli i radhës në ditën e katërt të festivalit ndërkombëtar të dancit modern, ku artistët amerikanë të kompanisë teatrore "Neta Dance", fituese e disa çmimeve koreografike, befasuan spektatorët në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" në Durrës.
Performanca me libret, regji dhe koreografi të drejtores artistike Neta Pulvermacher dëshmoi mundësitë e pafund të teatrit alternativ.
Gjashtë intepretët kërcimtarë profesionistë ritreguan brenda një ore kujtimet e fëmijërisë së koreografes me origjinë izraelite, e cila është rritur në një kibuttz, që i ngjason përfytyrimit tonë për kooperativën bujqësore. Shfaqja dëshmon me një qartësi shpesh herë brutale atë që ndodh në një dhomë fëmijësh me pesë krevate.
Duke përdorur montazhin Neta Pulvermacher me një përvojë 23-vjeçare në fushën e "Dance theatër" kombinon një mozaik zërash, teksti, muzike dhe lëvizjesh shumë energjike të kërcimtarëve që e marrin spektatorin në një udhëtim mes ferrit dhe parajsës fëminore të koreografes.
Pulvermacher ka shfrytëzuar elementët e lëvizjes e imitimit, këngës e recitimit, rekuizitës dhe kërcimit, duke krijuar një ansambël me disiplinë artitike perfekte.
Në performacën e dytë "Fold-Palos" shikuesit u bënë pjesmarjes së spektaklit tjetër të Neta Dance që është një udhëtim mes kuptimit të hapësirës dhe ndryshimeve dramatike që i ndodhin asaj.
Sipas programit të edicionit të pestë të Festivalit ndërkombëtar të Dancit, performancat "Pesë krevatet" dhe "Palos" të trupës amerikane "Neta Dance company" sot në mbrëmje do të jenë në mysafirë në sallën Black Box të Akademisë së Arteve në Tiranë.
Ky edicion i Festivali me traditë 5-vjeçare do të vazhdojë deri më 28 maj duke sjellë në skenat e Durrësit dhe Tiranës 13 kompani nga 8 vende të botës si Franca, Spanja, Izraeli, Svicra, SHBA, Shqipëria, Hungaria dhe Suedia.
Shumë prej trupave teatrore vijnë në edicionin e pestë të Festivalit ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Kontemporan me "prodhimet" e viteve 2009-2010. Gjatë këtij edicioni janë shfaqur edhe premierat botërore të disa shfaqjeve./ch/