G7 - Konferencë Telefonike E Ministrave Të Financave
TOKIO, 7 maj /ATSH-AFP/ - Ministrat e Financave të vendeve të mëdha të industrializuara të G7-s mbajtën një konferencë telefonike urgjente për krizën që po trazon tregjet, njoftoi një zyrtar i një prej vendeve të G7-s.
I pyetur për konkluzionet e kësaj mbledhjeje, ky zyrtar nuk bëri asnjë koment.
Kjo mbledhje, e paparashikuar, ishte njoftuar në mëngjes nga ministri japonez i Financave, Naoto Kan, i cituar nga Dow Jones Newswires.
Megjithatë, Kan shtoi se ky takim telefonik nuk kishte për qëllim miratimin e masave të përbashkëta për të mbështetur euron. "Nuk mendoj se do të ketë kërkesa për ndërhyrje", deklaroi ai, i cituar nga Dow Jones.
Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara, G7, përbëhet nga Gjermania, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Japonia.
/I.Pu.