Tiranë, 7 maj, NOA – Sot mbushet plot një javë që nga dita kur 22 deputetë socialistë dhe 180 mbështetës të tyre vendosën të hyjnë në një grevë urie, në mbrojtje të asaj që ata e quajnë “transparencë të procesit të 28 qershorit”.
Janë mëse 6 ditë të plota që ata kanë qëndruar nëpër çadra poshtë godinës së Kryeministrisë, ndërsa sot hyjnë në ditën e tyre të shtatë të grevës së urisë, që prej 30 prillit, kur u zhvillua dhe protesta e madhe opozitare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Gjatë gjithë këtyre ditëve, përfaqësuesit opozitarë kanë mbajtur fjalime çdo pasdite para të ngujuarve në grevë urie, duke mos u hequr asnjë presje fjalimeve të tyre, nga kërkesat lidhur me transparencë të zgjedhjeve dhe hapjes së kutive të votimit.
Replikat janë ashpërsuar mes dy palëve, ndërsa grupime të ndryshme si gratë demokrate apo ish-të përndjekurit, kanë kërkuar gjatë këtyre ditëve me anë të protestave, ndalimin me çdo kusht të grevës së urisë të socialistëve, si një masë ekstreme që prish imazhin e vendit në sytë e ndërkombëtarëve.
n.e/NOA