English

I vunë eksploziv një makine, kapet njëri nga të dyshuarit

Krujë, 7 maj, NOA – I kanë vendosur një sasi eksplozivi një autoveture tip Benz me targa H8CJN, e cila gjatë shpërthimit ka dëmtuar xhamin e parë dhe kofonon e tij, por pa mundur të lëndojë pronarin e mjetit, 25-vjeçarin me inicialet Sh.K., banues në Krujë.

Ngjarja raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime të policisë së Krujës, të cilat shtojnë se kanë arritur të kapin të dyshuarin e parë të kësaj ngjarje të rëndë, i cili është 25-vjeçari Haxhi Brami, lindur e banues në qytetin e Krujës.

Mësohet ndër të tjera se ai e ka kryer këtë akt në bashkëpunim edhe me dy 21-vjeçarët Erind Sadiku dhe Engjëll Vogli; që të dy banues në Krujë, për të cilët ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë.

Ndërkaq, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip BMV të të ndaluarit Brami, është gjendur në cilësinë e provës materiale 1 automatik model 56, 2 krehëra pistolete me nga 7 fishekë, 2 stema policie, 1 palë pranga si edhe 2 shkopinj gome.

n.e/NOA

KOMENTE