English

Ilir Meta: Shqipëria, pa viza brenda vitit 2010

Bruksel, 7 maj, NOA – Në një intervistë për “EurActiv”, botim i Bashkimit Europian, ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, deklaroi se elasticiteti dhe përgjegjësia për të ardhmen e përbashkët të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian janë të parat.

Sipas tij, Serbia me Kosovën duhet të ulen në të njëjtën tryezë në forumin e ardhshëm rajonal, duke lënë pas emra dhe flamuj vendesh.

Zoti zv/kryeministër, ju jeni këtu në Bruksel kur duket se ka një ofensivë diplomatike. Vetëm pak ditë më parë ishte këtu edhe kryeministri juaj, i cili dorëzoi përgjigjet e Pyetësorit të Komisionit Europian. Sa faqe zinin ato përgjigje?

Bëhet fjalë për mijëra faqe; por unë mendoj se themelore është se pati një angazhim të jashtëzakonshëm të gjithë administratës tonë dhe ekspertëve të saj, shoqërisë civile dhe sektorit privat.

Ne jemi krenarë që mundëm t’u përgjigjeshim mbi 2,000 pyetjeve; ndërkohë, jemi në një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe marrëdhënie konstruktive me Komisionin Europian për vijimësinë e këtij procesi, pasi ai do të shqyrtojë përgjigjet tona dhe ndoshta do të bëjnë disa pyetje shtesë. Sigurisht që ky përbën një proces të vazhdueshëm dhe shumë konstruktiv; ndaj, ne jemi të interesuar dhe dëshirojmë të ecim përpara sa më shpejt të jetë e mundur.

2.000 pyetje, disa më të vështira se të tjerat....cilat ishin më të vështirat?

Mendoj se ky është një proces tejet kompleks, i cili ka të bëjë me të gjitha fushat, pa përjashtim. Nuk mund t’iu them se cila nga pyetjet ishte më e vështira, pasi secila prej tyre ishte një sfidë më vete, por mund t’u them se më e lehta ishte pyetja mbi marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe politika rajonale (qesh).

Çka kryesisht do të thotë se për ju nuk është e vështirë t’i bashkëngjiteni politikës së jashtme të BE-së. Por le të marrim drejtësinë dhe çështjet e brendshme, një fushë kjo ku Komisioni Europian është tejet kërkues; atëherë, çfarë i thatë ju Komisionit? Që mafia shqiptare nuk ekziston më dhe se çdonjeri prej tyre është në burg?

Jo, jo, ne nuk mund ta themi këtë. Por ne mund të themi shumë gjëra të tjera për legjislacionin e miratuar, për zbatimin e tij dhe për statistikat tona, të cilat janë përmirësuar. Dhe jo vetëm Shqipëria, por edhe vendet fqinj mund të thonë plot gjëra për suksesin e tyre në bashkëpunimin me Shqipërinë, në luftën kundër krimit të organizuar dhe çdo lloj trafikimi të qenieve njerëzore dhe të drogës.

Kohët e fundit ne miratuam një ligj mbi konfiskimin e pasurive të krimit të organizuar dhe terrorizmit, i cili do të fillojë të zbatohet; ky ligj është thelbësor jo vetëm për ndjekjen penale të individëve kriminalë, por edhe për shkatërrimin e terrenit ekonomik dhe të financimit të veprimtarisë së tyre.

Gjithashtu, ne kemi bërë hapa të mëdhenj përpara në luftën kundër pastrimit të parave, nëpërmjet forcimit të kapaciteteve tona, duke rritur profesionalizmin e tyre në luftën kundër trafikut të paligjshëm të drogës dhe në shumë fusha të tjera që preokupojnë edhe Bashkimin Europian.

Veçse të gjitha këto janë të pamundura pa bashkëpunimin ndërkombëtar, pasi ju duhet të merreni edhe me partnerët tuaj.

Po, i gjithë ky përparim që kemi bërë është në një masë të madhe edhe rezultat i një bashkëpunimi shumë të ngushtë më vendet anëtare të BE-së dhe me partnerë të tjerë, si SHBA-të. Pa mbështetjen, ndihmën dhe trajnimin nga ana e tyre të njerëzve tanë në fusha të panjohura më parë dhe mbështetjes me teknologji, mendoj se do të kishte qenë e vështirë për ne që të kishim një përparim të tillë.

Ndaj, sigurisht, ne kemi besim edhe në mbështetjen e tyre në të ardhmen, pasi është në interesin tonë që të kemi një vend më të sigurt; por, një Shqipëri dhe Ballkan me i sigurt është edhe në interesin e vetë Bashkimit Europian.

Krijimi i besimit ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit është një detyrë e realizueshme por, ndoshta më e vështirë është të bindësh opinionin publik në vendet perëndimore se Shqipëria është një vend i sigurt.

Kjo do të vijë me kohë. Ne duhet të punojmë më shumë që ta bëjmë edhe më të qartë përparimin tonë; por mund të jetë edhe më e dobishme që të bëjmë më shumë të njohur turizmin tonë, me qëllim që të sjellim më shumë turistë nga vendet e BE-së në Shqipëri; kjo do t’i ndihmonte ata të ndryshonin njëherë e mirë perceptimin e tyre për Shqipërinë, si një vend i sigurt dhe me bukuri të mahnitshme.

Por edhe shqiptarët dëshirojnë të udhëtojnë jashtë vendit; ndaj dhe BE-ja po jetëson një program për liberalizimin e vizave, zbatimi i të cilit do të çojë në heqjen e kërkesave për viza. A prisni që ky vendim të merret këtë vit?

Ne besojmë se kemi përmbushur pothuajse të gjitha kërkesat dhe vijojmë të raportojmë. Ne besojmë se këto përpjekje do të vlerësohen nga Komisioni Europian dhe ne shpresojmë për një përgjigje pozitive në këtë drejtim. Ne mendojmë se ka shumë të ngjarë që vendimi përkatës të merret dhe të vihet në zbatim gjatë këtij viti.

A mendoni se Komisioni e ka më të vështirë të vendosë mbi Shqipërinë, meqenëse vendi juaj njihet si një ndër vendet me trysni të lartë emigrimi?

Unë mendoj se ky mund të jetë një argument që shkon në favor të Shqipërisë, pasi 1/3 e njerëzve tanë jetojnë në Europë si emigrantë në Itali, Greqi, Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë dhe sigurisht në SHBA, Kanada dhe vende të tjera.

Ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh që kanë vizë “Shengen” në pasaportat e tyre; ndaj në këtë rast nuk mendoj se ky përbën një argument negativ, por përkundrazi pozitiv: të gjithë ata që kanë dashur të largohen nga vendi në këto 20 vitet e fundit i kanë gjetur mundësitë dhe këtu përjashtoj mundësinë e problemeve dhe keqkuptimeve me liberalizimin e vizave.

Gjithashtu, Qeveria po ndërmerr hapa për t’u shpjeguar publikisht të gjithë shtetasve se çdo të thotë liberalizim vizash, sipas të cilit ata nuk mund të shkojnë jashtë shtetit dhe të qëndrojnë aty për gjithmonë, dhe se ata nuk mund të punësohen; këto shpjegime që bëhen edhe nëpërmjet televizionit do të vijojë deri ditën kur do të merret vendimi.

Shqipëria ka ngecur në një ngërç politik, ku opozita ka bojkotuar Parlamentin qysh nga viti i kaluar, me pretendime për mashtrim zgjedhor. A shpresoni për ndonjë lajm të mirë nga Shqipëria, si liberalizimi i vizave apo marrja e statusit të kandidatit të BE-së, përpara zgjidhjes së këtij problemi?

Unë mendoj se gjendja e tanishme politike nuk ka të bëjë aspak me procesin e liberalizimit të vizave; ky i fundit është thjesht një proces teknik që mbështetet mbi parime të drejta dhe rigoroze.

Po, por ai ka një rëndësi të madhe politike......

Unë mendoj se ai është një proces që ka të bëjë me njerëzit dhe jo me njërën apo me tjetrën palë. Gjithashtu edhe opozita është në favor të liberalizimit të vizave përsa i përket të gjitha kritereve. Pothuajse të gjitha këto kritere janë plotësuar dhe ne po thellojmë përpjekjet tona për forcimin e zbatimit të këtyre kritereve.

Pra, ju po thoni se liberalizimi i vizave mund të ecë në kursin e vet; por a mendoni ju se Shqipëria do të marrë statusin e kandidatit për në BE përpara se Parlamenti të fillojë të funksionojë?

Sigurisht. Ne mendojmë se marrja e statusit të kandidatit është themelore për përmirësimin e klimës politike dhe rivendosjen e dialogut ndërmjet shumicës dhe opozitës. Qeveria është tejet e përkushtuar për plotësimin e të gjithë kërkesave të opozitës, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me hetimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Ne i kemi garantuar opozitës shumicën e një komisioni hetimor parlamentar, kryesinë e këtij komisioni dhe hetimin e çdo çështjeje që shqetëson ata lidhur me debatet mbi hapjen e kutive zgjedhore.

Ne e kemi bërë të qartë se nga ana jonë do të ofrohet vullneti politik dhe gjithçka që është në dorë të Qeverisë. Por kjo është një çështje që ka të bëjë edhe me pavarësinë e gjykatave dhe sistemit të drejtësisë. Pra, ne e kemi bërë të qartë se për ta është mjaft e rëndësishme t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe në rast se kjo e fundit do të bëjë një interpretim pozitiv të kërkesës së tyre, ne do ta respektojmë këtë kërkesë.

Po ashtu, ne kemi qenë ta hapur ndaj tyre edhe lidhur me mundësinë që ata t’i drejtohen Komisionit të Venecias, një institucion ky mjaft i besueshëm ndërkombëtar i të drejtës dhe demokracisë, i cili i ka dhënë vendit tonë ekspertizë mbi Kushtetutën, etj.

Gjithashtu ne e kemi bërë të qartë që në rast se duan të hetojnë këto pretendime ligjërisht dhe profesionalisht, ata duhet t’i drejtohen Prokurorisë, e cila është plotësisht e pavarur nga Qeveria. Ne kemi deklaruar se Qeveria do t’i japë gjithë ndihmën e nevojshme të Prokurorisë për të ngritur një Task Forcë me aq prokurorë sa të jetë e nevojshme në këtë rast, për të hetuar të gjitha pretendimet që ata paraqesin për mashtrim dhe manipulime në zgjedhje dhe për ndjekjen penale të fajtorëve.

Pra, Gjykata Kushtetuese ose Komisioni i Venecias do të veprojnë si arbitra; mirëpo, ky proces mund të kërkojë një kohë të gjatë....

Pikë së pari, këto janë të vetmet mënyra institucionale për kapërcimin e këtyre mosmarrëveshjeve. Por, kjo nuk do të thotë se komisioni hetimor parlamentar duhet të presë deri në atë moment. Ky komision mund të fillojë punën dhe të zhvillojë hetime mbi të gjitha çështjet; për rrjedhojë, kur të vijë interpretimi nga Gjykata Kushtetuese ose Komisioni i Venecias, ata mund të vazhdojnë ose jo hetimin, mbi bazën e vendimit mbi kërkesën për hapjen e kutive zgjedhore dhe rinumërimin e votave.

Duket se vendet në Ballkanin Perëndimor janë shumë novatore në bllokimin e ofertave të tyre për anëtarësim në BE; kështu ndodh me Maqedoninë në konfliktin e saj për çështjen e emrit me Greqinë, me Bosnjën në ngërçin e saj kushtetues, dhe me Serbinë e Kosovën të përfshira në një konflikt përherë e më kompleks. A është pjesë e kësaj skeme edhe Parlamenti i bllokuar shqiptar?

Ne sigurisht që duam ta kapërcejmë këtë situatë. Ne po bëjmë përpjekje për të dhënë mesazhe pozitive dhe konstruktive bashkëpunimi; por ne duhet të respektojmë edhe Kushtetutën, pasi ajo është kushtetuta e gjithë vendit dhe jo vetëm e shumicës qeverisëse. Gjithashtu ne nuk duhet të lejojmë që politika të dalë mbi vendimet e gjykatave, pasi forcimi i sundimit të ligjit është kërkesë themelore për integrimin e vendit në BE.

Më 2 Qershor në Sarajevë do të zhvillohet Samiti i Vendeve të Ballkanit Perëndimor, vendi juaj po ndihmon për të shmangur përsëritjen e asaj situate kur Presidenti Serb bojkotoi një takim të ngjashëm të organizuar në Slloveni. Çfarë do t’u këshillonit miqve tuaj Kosovarë dhe miqve tuaj në Beograd?

Ne u themi të dy palëve se suksesi i çdo nisme rajonale ka të bëjë me pjesëmarrjen e gjithësecilit. Kjo është e para. Ne nuk duam që dikush to përjashtohet ose të vetë- përjashtohet. Është thelbësore që të gjendet një mënyrë praktike.

Si, pa flamuj, pa emra vendesh?

Për ne këto nuk janë të rëndësishme. E rëndësishme është që të dyja palët të bien dakord për të marrë pjesë në këtë veprimtari, ndërsa mënyra se si bëhet një gjë e tillë nuk është e rëndësishme. E rëndësishme është që të tregohet elasticitet dhe përgjegjësi e ndërsjellë për të ardhmen në Bashkimin Europian.

Ju duhet të keni ndikim të madh në Prishtinë. Si e shihni Kosovën, si kombi juaj “motër” si një komb i njëjtë? Çfarë lloj marrëdhëniesh keni me të?

Marrëdhëniet tona me Kosovën janë të shkëlqyera. Ne po ndërtojmë një autostradë që na lidh me të, ashtu sikurse po ndërtojmë autostrada dhe rrugë të reja me të gjitha vendet fqinj, përfshirë Malin e Zi, Greqinë dhe Maqedoninë.

Gjëja më e rëndësishme është se ne nuk mbështesim vetëm një Kosovë të pavarur. Para së gjithash, ne mbështesim një Kosovë europiane, pasi kjo është thelbësore edhe për integrimin Europian të vendit tonë dhe të gjithë rajonit. Kjo është tabloja bazë e marrëdhënieve tona.

Gjithashtu ne mbështesim fuqimisht integrimin e plotë të pakicës Serbe në Kosovë; Qeveria jonë po investon një shumë prej 400,000 Euro në infrastrukturë dhe projekte sociale në Komunën e Graçanicës, një komunë e re, me një shumicë mbizotëruese të komunitetit serb; dhe këtë e bëjmë për të dhënë mesazhin se komuniteti serb në Kosovë mund të integrohet më mirë në rast se përmirësohen kushtet e tyre social-ekonomike.

Emri juaj ështe Ilir – Ilirët e lashtë kanë qenë të parët e Shqiptarëve të sotëm. Sa i lashtë është kombi juaj?

Kombi ynë është sa i lashtë aq edhe i ri. Ne jemi një ndër kombet me moshën më të re përsa i përket brezit të ri dhe kjo na ndihmon për ta hedhur vështrimin përpara.

“EurActiv”

KOMENTE