Kirgistani I Kërkon Bjellorusisë Ekstradimin E Presidentit Të Përmbysur Bakiev
BISHKEK, 7 maj /ATSH-AFP/ - Qeveria e përkohshme e Kirgistanit njoftoi sot se i ka kërkuar zyrtarisht Bjellorusisë ekstradimin e presidentit të përmbysur Kurmanbek Bakiev, i cili qëndron në arrati pas kryengritjes popullore të përgjakshme në fillim të prillit.
"Prokurori i përgjithshëm i Kirgistanit i dërgoi më 6 maj prokurorit të përgjithshëm të Bjellorusisë një kërkesë për ekstradimin e Bakievit", deklaroi nënkryetari i qeverisë së përkohshme kirgize, Azimbek Beknazarov.
Në fillim të javës, autoritetet kirgize kanë njoftuar zyrtarisht heqjen e imunitetit të Bakievit, i akuzuar për vrasje dhe kanë premtuar dhënien e një shpërblimi prej 100 000 dollarësh (75 000 euro) për informacione që mund të çojnë në arrestimin e presidentit të përmbysur dhe të bashkëpunëtorëve të tij.
Kurmanbek Bakiev u largua nga vendi pas përleshjeve të përgjakshme mes policisë dhe manifesttuesve që shkaktuan rreth 90 të vdekur më 8 prill në Bishkek, pas të cilave opozita mori pushtetin në këtë vend të varfër të Azisë Qendrore.
/I.Pu.