English

Kriza/ Spanjë - Qeveria Dënon Sulmet Spekulative

MADRID, 7 maj /ATSH-ANSA/ - Zëvendëskryeministrja e Spanjës, socialistja Maria Teresa de la Vega, denoncoi sot, pas një mbledhje të këshillit të ministrave, "sulmet e papranueshme spekulative kundër Spanjës, që ndër të tjera provokuan mëngjesin e sotëm një tkurrje të fortë të bursës së Madridit dhe rritjen e paprecedentë të kostos së borxhit". "Sulmet spekulative janë të papranueshme", deklaroi zëvendëskryeministrja spanjolle. De la Vega shpjegoi se "këtë javë janë prodhuar situata shqetësuese për shkak të disa zërave të pabazë, që na kanë bërë keq dhe që e kanë goditur negativisht ekonominë e vendit". Zëvendëskryeministrja deklaroi se reforma e ardhshme e kodit penal, që po ekzaminohet në parlament, "do të ndëshkojë shpërndarjen e informacioneve ose zërave që synojnë ndryshimin e fortë të kuotave në bursë" dhe sipas saj "ky është një mesazh i qartë për spekulatorët". Të martën, bursa e Madridit pësoi një rënie deri në -5.4 për qind, pasi në tregje ishin shpërndarë zëra se Spanja do t'i kërkonte ndihmë FMN-së. "Spanja nuk do të pranojë që të vihet në lojë prestigji i saj dhe të vihet në rrezik tregu i saj financiar me qëndrime të ndëshkueshme dhe antisociale", paralajmëroi De la Vega. Sipas të përditshmes El Mundo, kryeministri socialist Jose' Luis Zapatero, ka vendosur "t'i shpall luftë spekulatorëve" pas ngjarjeve të kësaj jave. /e.v/
KOMENTE