Kryeprokurorja Ina Rama: Lufta Ndaj Korrupsionit, Sfidë Që Duhet Fituar Me Çdo Kusht
TIRANË, 7 Maj/ATSH, Andi Myrtaj/ - Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama e konisderoi sot luftën kundër korrupsionit si një sfidë, e cila duhet të fitohet me çdo kusht.
E pranishme në aktivitetin e organizuar sot në Hotel "Tirana Internacional" nga USAID në 1-vjetorin e krijimit të njësive hetimore "Task Force" për luftën kundër korrupsionit, Kryeprokurorja Rama tha se, "të gjithë e dimë që ndërtimi i një procesi penal ndaj një zyrtari të koruptuar, apo një biznesi të rëndesishëm është proces jo i lehtë për shkak të specifikave të hetimit të këtyre lloj veprash penale dhe për shkak të peshës së personave apo intresave të prekura nga hetimi. Po kaq i vështirë ka rezultuar përgjithësisht edhe procesi i gjykimit të kësaj kategorie veprash penale".
Në këto kushte, ajo tha se "detyra jonë është të superojme këto pengesa duke e konsideruar të gjithë punën tonë në këtë drejtim si nje sfidë, që duhet fituar me cdo kusht".
Drejtuesja e Prokurorisë së Përgjithshme përshëndeti rezultatet e arritura nga Njësitë Hetimore Antikorrupsion, të ngritura në disa prokurori në 6 Qarqe, ku ndërsa pranoi kohën e shkurter të aktivitetit të tyre, tha se "referuar statistikave shohim të dhëna shumë premtuese për shkak të punës së tyre. Që nga krijimi i tyre në vitin që shkoi jane rritur rastet e hetuara për veprat penale të cilat janë në kompetencë të njësive të përbashkëta".
Kryeprokurorja Ina Rama vuri në dukje rritjen e numrit të kallezimeve të depozituara nga shtetasit për veprat penale kryesisht me natyrë korruptive. Sipas saj, kjo "flet për një pritshmeri të lartë të publikut në drejtim të një pune profesionale dhe me integritet të lartë të këtyre strukturave".
Pjesmarrës në takim, Zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka shprehu angazhimin maksimal të strukturave te Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit.
"Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti nga strukturat e policisë janë dyfishuar rastet e dyshuara për korrupsion të referuara në prokurori, krahasuar me një vit më parë", tha Peka.
Një vit më parë, drejtues te Ministrise se Brendshme, Finances, Prokurorisë së Përgjithshme, Inspektoriatit të Lartë të Kontrollit të Pasurive, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Shërbimit Informativ Shteteror, nënshkruan së bashku Memorandumin për krijimin e njësive të përbashkëta për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit në gjashtë zyra të rëndësishme të prokurorive në vend.
Krijimi i njësive të reja filloi realisht funksionim në Tetor 2009 me plotesimin e tyre me pjestarët prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore.
Krijimi i tyre ishte produkt i nevojës së përbashkët për të përqëndruar forcat për goditjen e krimit ekonomik e korrupsionit si dhe ndjekja e një modeli të mirë për këtë qëllim, sic ishte njësia e përbashkët hetimore e krijuar më parë në Prokurorinë e Tiranës./n.m/