Lezhë: Kryeministri Berisha Përuron Dy Akse Rrugore Të Rëndësishme
LEZHË, 7 Maj /ATSH-G. Marku/- Kryeministri Sali Berisha inaguroi të premten dy vepra rrugore të rëndësishme për Lezhën dhe gjithë zonën veriore të vendit.
Rruga ish SMT, Lezhë, deri në fshatin Rrilë, punimet e së cilës nisën sot, është një investim i Bashkimit Europian me një vlerë rreth një milionë euro.
Rruga Shën Koll - Tale, 9.5 km, ku sot u përurua përfundimi i punimeve të saj, është një me një vlerë 1.5 milionë dollarë.
"Shën Kolli është njëra prej komunave më të rëndësishme të vendit. Kjo komunë është me një bregdet të mrekullueshëm, rruga që sapo inaguruam prej 9.5 kilometrash, e përfunduar në kohë rekord në dy lote bën të mundur që qytetarët e Lezhës, të Mirditës, të Burrelit, të Peshkopisë, të Tropojës, por edhe të mbarë Kosovës të shfrytëzojnë bukurinë e mahnitshme të plazhit tuaj," deklaroi kryeministri Berisha, për të pranishmit në ceremoninë e përurimit.
"Ingaugurimi i kësaj rruge përbën një akt të rëndësishmë në angazhimet, në projektet e qeverisë sime për të asfaltuar çdo kilometër rrugë që zbret drejt detit nga Velipoja në Ksamil," tha Kryeministri.
Në zonën e Lezhës, sipas zotit Berisha, së shpejti do të zbatohen projekte të rëndësishme.
"Së shpejti projekte të rëndësishme do të fillojnë në këtë zonë. Kemi përfunduar tërësisht projektin e njërës prej rrugëve më të turistike, më të bukura të vendit, rruga që lidhë Lezhën me Ulqinin," tha zoti Berisha.
Së shpejti, sipas kryeministrit, do të përurohet rruga e Patokut, e cila gjithashtu zbret në det.
Në vëmendjen e Kryeministrit ishte edhe një fushë zhvillimore e kësaj zone, bujqësia.
"Sapo bisedova me autoritetet vendore që të ndërtojmë çdo kanal, dhe çdo burim uji. Ne do të bëjmë çdo gjë që ju të nxirrni maksimumin e prodhimit nga tokat tuaja," tha ai.
Në fund, Berisha e kaloi bisedën te projektet në nivelin kombëtar të qeverisë së tij.
"Ky vit është një vit i madh për të gjithë shqiptarët. Këtë vit ne do të fitojmë të drejtën për të lëvizuar të lirë në mbarë Europën dhe kjo përbën një arritje historike të pritur në shekuj nga shqiptarët," tha Kryministri./ch/