English

Meta: Pavarësia E Kosovës, Proces I Pakthyeshëm

- Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, takon ministrin e Kulturës të Kosovës, Lutfi Haziri - TIRANË, 7 Maj/ATSH/.- Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, vlerësoi sot progresin e arritur në Kosovë prej shpalljes së pavarësisë dhe ecurinë e deritanishme të procesit të njohjes, duke nënvizuar se pavarësia e saj është e pakthyeshme. Drejtoria e shtypit e Ministrisë së Jashtme bëri të ditur se zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, duke rikonfirmuar mbështetjen maksimale për institucionet e Kosovës, nënvizoi se "Shqipëria mbështet përkushtimin dhe angazhimin e autoriteteve zyrtare për të bashkëpunuar me praninë ndërkombëtare në Kosovë". "Ky bashkëpunim do t'i shërbejë konsolidimit të shtetit, forcimit e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian", tha Meta. Për sa i përket bashkëpunimit rajonal, Meta nënvizoi se Shqipëria është e angazhuar dhe e gatshme për të bërë të gjitha përpjekjet e duhura për të siguruar pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha forumet dhe projektet e bashkëpunimit rajonal e më gjerë. Ministri Haziri vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për Kosovën, si dhe shprehu bindjen se kjo mbështetje nuk do t'i mungojë asnjëherë shtetit të ri të Kosovës në përballimin e të gjitha sfidave me të cilat do të përballet. Lidhur me bashkëpunimin dypalësh, dy personalitetet ndanë vlerësimin për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe si dhe për angazhimin e Qeverive respektive, përmes një partneriteti të veçantë, për t'i shndërruar këto marrëdhënie në model të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit konkret në rajon./m.m/s.s./
KOMENTE