English

Meta: Shqiptarët Do Të Lëvizin Pa Viza Në Vendet E Be-Së Brenda Vitit 2010

- Në një intervistë ekskluzive për "EurActiv", botim i Bashkimit Europian - TIRANË, 7 Maj/ATSH/.- Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, shprehu sot besimin se brenda vitit 2010 shqiptarët do të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Europian. Në një intervistë ekskluzive për "EurActiv", botim i Bashkimit Europian, z. Meta tha se "vendi ka përmbushur pothuajse të gjitha kërkesat për këtë proces dhe autoritetet shqiptare vijojnë të raportojnë në Bruksel". "Ne besojmë se këto përpjekje do të vlerësohen nga Komisioni Europian dhe shpresojmë për një përgjigje pozitive në këtë drejtim. Ne mendojmë se ka shumë të ngjarë që vendimi përkatës të merret dhe të vihet në zbatim gjatë këtij viti", tha Meta. Pyetjes nëse ka efekt negativ në këtë proces fakti se Shqipëria njihet si vend me trysni të lartë emigrimi, Meta iu përgjigj se "ky mund të jetë një argument që shkon në favor të Shqipërisë, pasi 1/3 e shqiptarëve jetojnë si emigrantë në Europë dhe vende të tjera". "Ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh që kanë vizë "Shengen" në pasaportat e tyre, ndaj në këtë rast nuk mendoj se ky përbën një argument negativ, por përkundrazi pozitiv. Të gjithë ata që kanë dashur të largohen nga vendi në këto 20 vitet e fundit i kanë gjetur mundësitë dhe këtu përjashtoj mundësinë e problemeve dhe keqkuptimeve me liberalizimin e vizave", tha Meta. Ai theksoi se Qeveria po ndërmerr hapa për t'u shpjeguar publikisht të gjithë shtetasve se çdo të thotë liberalizim vizash. Duke u ndalur te gjendja politike në vend, Meta tha se "gjendja e tanishme politike nuk ka të bëjë aspak me procesin e liberalizimit të vizave, që është thjesht një proces teknik, i mbështetur mbi parime të drejta dhe rigoroze". "Ky është një proces që ka të bëjë me njerëzit dhe jo me njërën apo me tjetrën palë. Gjithashtu edhe opozita është në favor të liberalizimit të vizave", tha ai. Ndërsa marrja e statusit të vendit kandidat në BE, sipas ministrit Meta, "është themelore për përmirësimin e klimës politike dhe rivendosjen e dialogut ndërmjet shumicës dhe opozitës". "Qeveria është tejet e përkushtuar për plotësimin e të gjithë kërkesave të opozitës, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me hetimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare", tha ai. Z. Meta shtoi se "maxhoranca do të ofrojë vullnet politik dhe gjithçka që është në dorë të Qeverisë, por kërkesa e opozitës ka të bëjë edhe me pavarësinë e gjykatave dhe sistemit të drejtësisë". "Ne sigurisht që duam ta kapërcejmë këtë situatë dhe po bëjmë përpjekje për të dhënë mesazhe pozitive dhe konstruktive bashkëpunimi, por ne duhet të respektojmë edhe Kushtetutën", tha z. Meta. Sipas tij, "politika nuk duhet të dalë mbi vendimet e gjykatave, pasi forcimi i sundimit të ligjit është kërkesë themelore për integrimin e vendit në BE"./m.m/s.s./
KOMENTE