Gjirokastër, 7 maj, NOA – Plot 11 kilogramë lëndë narkotike e llojit marijuanë janë mundur të sekuestrohen nga forcat e policisë së Gjirokastrës, nën operacionin e koduar “Parukierja”, ndërsa transportoheshin nga një vajzë në autobusin e linjës ndërkombëtare Shqipëri-Athinë.
Lajmi konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA duke bërë me dijeni se kjo u realizua falë kontrollit në disa autobusë të linjave të ndryshme që lëviznin në drejtim të shtetit grek, ku droga e lartpërmendur u kap pikërisht në linjën Gjirokastër- Athinë të shoqërisë “Lengo Diamanti”.
Konkretisht, në sediljen e parafundit janë konstatuar dy çanta të cilat ishin të mbushura me pako të mbështjella me letër natriban ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë.
Nga ana e Policisë Kufitare është bërë menjëherë bllokimi i autobusit dhe i pasagjerëve të tij, si dhe i një vajze që ishte ulur në sediljen ku u konstatuan çantat me marijuanë.
Mësohet se ajo është 27-vjeçarja Pranvera Këndella, lindur dhe banuese në Gjirokastër, me profesion parukiere.
Menjëherë kjo vajzë është shoqëruar në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme, ndërsa autobusi i linjës së bashku me pasagjerët dhe shoferin pasi kanë dhënë deklarimet e nevojshme kanë vazhduar lëvizjen në drejtim të Athinës.
Tashmë, Këndella do të ndiqet për veprën penale të “Trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, ndërsa mësohet gjithashtu se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, 1430 euro, një celular si dhe pasaporta e saj.
n.e/NOA