English

Profil Biznesi/ Vlorë: Kompleksi Driza, Rruga E Rritjes Së Një Biznesi Familjar

VLORË, 7 maj /ATSH-Harilla Koçi/ - Kompleksi i mishit "Driza", që njihet ndryshe, pularia e Patosit, përfaqëson rrugëtimin e një biznesi të suksesshëm, që lindi, u rrit dhe u konsolidua në vite. Nisja daton me një lokal të vogël e të rëndomtë, diku, prapa godinës së prefekturës në qytetin e Fierit në fillim të viteve 90, por brenda një kohe relativisht të shkurtër, ideja dhe projektet e administratorit Hiqmet Driza, u rritën në të tjera drejtime, nisur nga nevoja e furnizimit të lokalit, që atëhere nuk gjendeshin lehtë. Ato e hodhën atë gradualisht Drizën në një biznes të ri, rritjes dhe tregtimit të zogjve dhe pulave. Pularia e Patosit brenda pak kohësh, jo vetëm garantoi prodhimin e freskët dhe cilësor për lokalin e zgjeruar tashmë, por nisi të shfaqej bindshëm në tregun e Fierit, Vlorës dhe gjithë Shqipërinë. Vetë Hiqmeti tregon se biznesi i tij tashmë është konsoliduar e modernizuar, se zogjtë dhe pulat e Patosit kërkohen mjaft në treg. Përveç kësaj, biznesi është zgjeruar edhe në drejtime të tjera, ku përfshihet prodhimi i ushqimeve për blegtorinë. Tre vjet më parë, Driza habiti jo pak konsumatorin shqiptar, teksa prezantoi mundësinë për të shijuar dhe konsumuar mishin e strucit. Duke bërë kronologjinë e rrugës së biznesit, Hiqmeti nuk ndalet gjatë. "E nisa me një restorant, më pas me prodhimin e mishit të derrit, viçit dhe deles. Në vitin 1995, aktiviteti kryesor i firmës, u bë prodhimi (rritja) i brojlerve. Me synimin për të qenë sa më pranë konsumatorit, veçanërisht në festat e fundvitit, eksperimentova në vitin 2001, rritjen e 10 mijë gjelave të detit të linjës "Big 6". Meqë kërkesat për këtë produkt, erdhën në rritje, konkretizova projektin e ndërtimit të kapanonëve të posaçëm për gjelat e detit," thotë Driza. Ai thotë se në të njëjtën mënyrë veproi edhe për mbarështimin e zogjve, ku investoi dhe ndërtoi një therrtore me kapacitet 2000 krerë në orë bashkë me dhomat frigoferike. Sot tregon se një nga faktorët e cilësisë së produkteve të firmës është ushqimi me origjinë bimore, kryesisht misër. "Prodhimet e firmës, sot janë të pranishme në 80 përqind të territorit të Shqipërisë", vijon më tej, administratori i kompanisë "Driza". Paksa me humor dhe, si për të sqaruar disi mendimin që ka ekzistuar për strucin, Hiqmeti thotë se, kjo shtazë nuk ka asgjë të përbashkët me krahasimin "e fsheh kokën si struci". "Struci është mjaft i fuqishëm dhe duket se kërkon të shpërthejë hekurat", thotë Hiqmeti, teksa thotë se struci ka një peshë të gjallë që arrin në rreth 100 kg. Në drejtimin e biznesit Driza tregon se ka përfshirë gjithë familjen, bashkëshorten, vajzën, djalin, nusen e djalit, dhëndërrin. Objektivat e mëtejshme janë rritja e mëtejshme e cilësisë, kapacitetit të prodhimit dhe realizimi i një cikli prodhimi të mbyllur. Pavioni i firmës "Driza", i çelur në mjediset e Panairit "Expo Vlora 2010", po vizitohet me mjaft interes nga qytetarët vlonjatë./ch/
KOMENTE
  • Armando Caraj11:27 - 23 Shkurt 2011
    bravo